Raporti i SHISH për kanabisin, nis hetimi për zyrtarët e policisë

Prokuroria për Krime të Rënda zgjeron grupin hetimor për dosjen voluminoze të Shërbimit Informativ Shtetëror, për kultivuesit e kanabisit dhe zyrtarët që ndihmojnë ato. ABC News ka mësuar se drejtuesi i Prokurorisë Besim Hajdarmataj, ka ndarë informacionet e SHISH në bazë të qyteteve dhe volumit të kanabisit të mbjellë, duke ia ndarë dosjen në disa prokurorë. Burimet thonë se për informacionin e Qarkut të Durrësit, dosja i është dhënë një prokurori, që mbulon edhe zonën e malësisë së Krujës.
Një prokuror tjetër është caktuar për zonën e Lezhës dhe Mirditës, siç është caktuar edhe një prokuror për Shkodrën dhe Dukagjinin. Për zonën e Korçës dhe Përmetit, dy prokurorë të tjerë. Por këto burime sqarojnë se në bazë të informacioneve të SHISH-it, zona e jugut rezulton si zona më me shumë sipërfaqe të mbjellë me kanabis në gjithë Shqipërinë. Për këtë fakt, këtë zonë po e hetojnë një grup prokurorësh i drejtuar nga Vladimir Mara.
Zyrtarisht prokurorët nuk preferojnë të flasin për hetimin e kësaj dosje. Ata thonë se, informacioni është shumë kompleks siç është edhe hetimi i dosjes, për shkak se aty janë evidentuar edhe disa emra drejtues të Policisë së Shtetit, shefa komisariatesh, shefa krimesh e inspektorë të shumtë të zonave të ndryshme. Bashkë me këto zyrtarët e policisë, SHISH ka evidentuar në raportin e saj voluminoz edhe emrat e disa administratorëve të njësive vendore dhe kryepleqve të fshatrave. Në dosje, thuhet se disa prej zyrtarëve të policisë dhe administratorëve e kryepleqve janë përfshirë direkt në kultivimin e kanabisit dhe një pjesë tjetër luan rolin e ndërmjetësit dhe garantit për mos shkatërrimin e këtyre parcelave.
Në raportin e SHISH-it që tashmë po hetohet nga Prokuroria për Krime të Rënda, është evidentuar se gjatë këtij viti janë shumëfishuar zonat e kultivimit të hashashit. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit pretendon se vetëm gjatë këtij viti janë asgjësuar mbi 1.3 milionë rrënje kanabis sativa në gjithë Shqipërinë. Por edhe pse janë shkatërruar qindra parcela me hashash, të arrestuar janë vetëm disa roje apo punëtorë të kultivimit të hashashit.
Sipas këtij raporti, në zona të caktuara të Shqipërisë, kryesisht në jug dhe veri, parcelat e mbjella me hashash ruhen me njerëz të armatosur, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me role të specifikuar për gjithsecilin, dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të “grupit të strukturuar kriminal” në kultivimin e lëndës narkotike. Burimet thanë se në dosjen e SHISH-it janë evidentuar edhe disa emra konkret të drejtuesve të policisë, shefave të komisariateve, e atyre të krimeve si dhe inspektorëve të zonave, të cilët bashkëpunojnë me kultivuesit e hashashit në zona të caktuara.
Për këto emra dhe dosjen hetimore të kultivuesve të hashashit, zyrtarisht Prokuroria për Krime të Rënda nuk preferon të prononcohet me arsyetimin se çështja është në fazën hetimore. Nga ana tjetër, burimet thonë se, grupi hetimor ka kërkuar evidentimin e disa personazheve me uniformë policie, të cilët dyshohet se bashkëpunojnë me kultivuesit e hashashit.

Kapen 12.5 kg drogë në makinën e policisë

Një sasi droge është kapur mbrëmë në një makinë policie. Bëhet e ditur se 12.5 kg drogë është kapur në një makinë policie, ndërsa në pranga janë vënë dy persona. Në sajë të operacionit të koduar “Falko” u arrestuan Dashamir Qershori, 44 vjeç lindur në fshatin Picall, Komuna Petrelë, me detyrë punonjës policie (shofer në Departamentin e Shërbimeve të tretëve pranë Drejtorisë së Policisë Shtetit) dhe Elton Elezi, 25 vjeç, lindur në fshatin Gurrë e Vogël dhe banues në Durrës.
Në një njoftim të Policisë së Tiranës thuhet se, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative rezultonte se një punonjës policie merrej me shitjen e lëndëve narkotike kanabis sativa, dhe për ta transportuar lëndën narkotike përdorte automjet policie me qëllim shmangien e kontrolleve nga shërbimet e policisë gjatë transportit të drogës. “Në rrugën “Elbasanit” afër rrotullimit te Senatoriumit, u finalizua me sukses Operacioni “FALKO” dhe u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve Dashamir Qershori, 44 vjeç lindur në fshatin Picall, Komuna Petrelë, me detyrë punonjës policie (shofer në Departamentin e Shërbimeve të tretëve pranë Drejtorisë së Policisë Shtetit). Elton Elezi, 25 vjeç, lindur në fshatin Gurrë e Vogël dhe banues në Durrës. Të lartpërmendurit u kapën në flagrancë në rrugën e “Elbasanit” te rreth rrotullimi i Senatoriumit, shtetasit Dashamir Qershori dhe Elton Elezi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshoheshin se kryenin aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike të dyshuar të llojit “Cannabis Sattiva” në zonën e Farkës, Sauk dhe Senatoriumit.
Nga ana e shërbimeve policore është organizuar shërbim me qëllim kapjen në flagrancë të këtyre shtetasve dhe konkretisht në rrugën e “Elbasanit” pranë Kthesës së Senatoriumit ku është konstatuar automjeti tip “Foristradë” Mitsubishi me sistem drita vezulluese (fenerlina) policie me targa TR 6167 F, ngjyrë blu me dy personat e lartpërmendur. Eshtë ushtruar kontroll në automjetin e mësipërm, i cili ka qenë i parkuar dhe në bagazhin e këtij automjeti janë gjetur 2 (dy) thasë të zinj plastmani brenda të cilëve gjendej bimë ngjyrë jeshile me erë karakteristika me atë të kanabis sativa. Menjëherë është bërë ndalimi i këtyre shtetasve ku shtetasi Elton Elezi është larguar me vrap, por për ta neutralizuar policia ka qëlluar në ajër. Eshtë kapur disa metra më pas nga ana Shërbimeve të Policisë.
Nga kontrolli personal i ushtruar shtetasit Elton Elezi, në çantën e krah qafë i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale bimë ngjyrë jeshile me erë karakteristike si e kanabis sativas, ku pas peshimit rezultoi me peshë 2 (dy) gram. Gjithashtu, në bagazhin e automjetit e përshkruar më lart pas peshimit në peshoren rezultoi 12.5 kilogram e cila u sekuestrua e do të dërgohet për ekspertim të mëtejshme në D.P Shkencore Tiranë. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 automjet policie me targa TR 6167 F, 2 telefona celular, një çantë krah qafe”, thuhet në njoftimin e policisë.

Artikulli paraprakDibra e bashkuar votim për Shehun
Artikulli tjetërBandat e Ramës masakrojnë biznesmenin e huaj në Rinas