Partia Demokratike deklaroi se Shqipëria është vendi me pagat më të ulëta në Europë, duke marrë shkas nga raporti i Transparency International.
Në një dalje nga selia blu, deputetja e PD-së, Ilda Dhori theksoi se shqiptarët duhet të braktisin të korruptuarit, ndërsa qeverinë e cilësoi si më të korruptuarën në Europë.
DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE
Të dhënat e fundit të publikuara nga Zyra e Statistikave të Bashkimit Evropian tregojnë se Shqipëria vijon të mbetet vendi me pagën minimale më të ulët në Europë.
Kjo statistikë e Eurostatit, që konfirmon ngecjen në vendnumëro të vendit tonë, është ilustrimi më kuptimplotë i pasojave që ka korrupsioni, si armiku i mirëqenies së shqiptarëve, për të cilin pak ditë më parë, raporti i prestigjiozes Transparency International, shënonte një tjetër përkeqësim për Shqipërinë.
Korrupsioni i përhapur në çdo nivel të qeverisjes së Edi Ramës, është arsyeja pse Shqipëria ka paga më të ulëta në Europë dhe shkallën e varfërisë më të lartë në Rajon.
Korrupsioni që gërryen çdo ditë institucionet, demokracinë, liritë dhe të drejtat, shkatërron tregun e lirë, është armiku numër një i familjeve shqiptare, i sipërmarrësve të ndershëm, i pensionistëve të harruar, i të rinjve dhe të rejave që largohen nga Shqipëria.
E për sa kohë vendi ynë do të jetë i pari në Europë për nivelin e korrupsionit, Shqipëria do të mbetet në vendnumëro dhe shqiptarët do të vijojnë të jenë të fundit në Europë për nivelin e mirëqenies së tyre.
Për këtë arsye Partia Demokratike e konsideron luftën ndaj korrupsionit interes kombëtar, parakusht për të cliruar vendin dhe institucionet nga paligjshmëria dhe pandershmëria që po e varfëron çdo ditë e më shumë; sepse Edi Rama është i korruptuar.
Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit!