Raporti në Vjenë: Kokaina nga Amerika Latine hyn në Durrës, Shqipëria e zhytur në krim e korrupsion

Në Vjenë është publikuar sot nga Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, raporti për krimin e organizuar.

Ky raport ka identifikuar vendet e Ballkanit si Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si shtete ku krimi i organizuar po lulëzon.

Raporti, në pjesën për Shqipërinë, thotë se ka pika hyrjeje të rëndësishme për kokainën që vjen në Europë nga Amerika Latine me dërgesa që vijnë kryesisht nëpër kontenierë në portin e Durrësit, të cilat më pas shpërndahen përmes Kosovës, Serbisë dhe Bosnjës dhe kontrabandohen drejt Europës Qendrore.

Në raport theksohet se Shqipëria ka qenë prodhuesja më e madhe e kanabisit në rajon dhe se grupet e organizuara kriminale jo vetëm që e kontrabandojnë produktin në vendet fqinje të BE-së, por gjithashtu e shpërndajnë atë në të gjithë rajonin.

Raporti, i bazuar në informacionet e përpiluara nga gazetarë dhe ekspertë vendorë, thotë se “qeverisja e dobët, ekonomia e dobët dhe zonat e vendosura përgjatë rrugëve tranzitore kanë një probabilitet më të lartë për të qenë pika të nxehta për krimin e organizuar”.

Ai argumenton se këto pika të nxehta janë mundësuar nga një ekonomi politike e krimit, që është thellësisht e rrënjosur në shumicën e vendeve të rajonit.

Exit mobile version