Instituti për Ekonominë dhe Paqen ka publikuar raportin vjetor për vendet më të sigurta në botë, ku Shqipëria renditet në vendin e 54-tër, pas Koresë së Jugut duke zbritur me 2 vende krahasuar me një vit më parë. Në raportin e këtij viti të IEP-së, ku renditen 163 vende, theksohet fakti i përparimit dhe i rritjes së sigurisë në Kosovë dhe Vietnamit, pavarësisht konflikteve që kanë kaluar këto shtete. Kosova është renditur në vendin e 77, por në raport theksohet fakti i rritjes së sigurisë.
Instituti për Ekonominë dhe Paqen përpiqet t’i përgjigjet një pyetje të thjeshtë: A është bota më shumë apo më pak e qetë? Islanda qëndron në krye të listës si vendi më i sigurtë në botë. Me një vlerësim prej 1.192 pikësh, ishulli europian renditet në majën e botës për shkak të mungesës së konflikteve të brendshme dhe influencës së atyre ndërkombëtare, por edhe për shkak të gjendjes së qetë të shoqërisë së saj.
Pas saj, në top dhjetëshen e vendeve më të sigurta renditet Danimarka, Austria, Zelanda e Re, Portugalia, Republika Çeke, Zvicra, Kanadaja, Japonia dhe Sllovenia. Po vendet më të fuqishme të botës? Britania e Madhe ndodhet vetëm në vendin e 47, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë të 103-tët në botë. Ky fakt theksohet në këtë raport, ku thuhet se siguria në SHBA është më e ulët se në vende si Botsvana, Kuvajti, Maroku, Kazakistani, Vietnami, Angola dhe Burkina Faso.
Çdo vendi i janë dhënë 5 pikë për paqen (sa më i ulët ky vlerësim, aq më i lartë është niveli i paqes), i përcaktuar nga analizat e 23 faktorëve të ndara në tre kategori: Niveli i mbrojtjes dhe i sigurisë në shoqëri, konfliktet e brendshme dhe ndërkombëtare, si dhe militarizimi. Në fund të listës renditet Siria, si vendi më i pasigurtë në botë.