Raporti: Prokurimet publike nga bashkitë probleme me konkurrencën

Nga Erisa Kryeziu/ citizens.al

Prokurimet publike në bashkitë Shkodër, Pogradec dhe Fushë Arrëz ishin në fokus të një tryeze diskutimi të organizuar nga “Qëndresa Qytetare,” e cila promovon transparencën, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen në proceset demokratike.

Diskutimi u bazua në një raport monitorimi për vitet 2022-2023, i cili evidentoi probleme të shumta në proceset e tenderimit për infrastrukturën arsimore dhe shëndetësore.

Sipas raportit, një nga çështjet më shqetësuese është konkurrenca e ulët në tenderë dhe përqendrimi i kontratave në duart e disa kompanive.

“Ka dalë në pah një panoramë shqetësuese sa i takon konkurrencës së ulët në tenderë, një efiçiencë e dobët buxhetore dhe dominimi i disa kompanive të preferuara,” deklaroi Kolindo Vjerdha nga “Qëndresa Qytetare”.

Raporti vëren se në bashkinë Shkodër, gjatë viteve 2022-2023, janë zhvilluar 127 procedura prokurimi për sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, por që një e katërta e këtyre procedurave janë anuluar.

“Rreth 23.6% e procedurave janë anuluar, përkatësisht 30 nga 127 tenderë. Edhe më alarmant është fakti se 40.14% e fondit të prokuruar është anuluar,” thuhet në raport.

Përqendrimi i tenderëve dhe problematikat me afatet

Ilir Brasha, një nga autorët e raportit, theksoi gjatë diskutimeve në tryezë se konkurrenca e reduktuar është një nga problemet që përsëritet vazhdimisht në prokurimet e tre bashkive të marra në monitorim.

“Në bashkinë Shkodër, tre kompani kanë zënë 58% të vlerës totale fituese të tenderëve, ndërsa në Pogradec 85%,” tha Brasha teksa nënvizoi se kompanitë në fjalë rezultojnë fituese edhe në njësi vendore të tjera.

Në të tre bashkitë e analizuara, Brasha tregoi se prokurimet publike janë dominuar nga investimet në sektorin e arsimit, me 98 procedura të zhvilluara kundrejt 60 në sektorin e shëndetësisë.

Në bashkinë Fushë Arrëz, procedurat e prokurimit të realizuara në vitin 2022 ishin të përqendruara në mirëmbajtjen e ndërtesave arsimore, por afatet e dorëzimit të ofertave rezultuan problematike.

“Në tenderin e parë, afati ishte vetëm dy ditë, ndërsa në tenderin e dytë ishte katër ditë,” thuhet në raport.

Ndërsa në bashkinë Pogradec, në këto dy vite janë zhvilluar 29 procedura prokurimi, nga të cilat 9 janë anuluar për shkak të mungesës së ofertave ose dokumentacionit të paplotë.

“Katër nga nëntë procedurat e anuluara […] rezultojnë se nuk patën asnjë ofertë të përshtatshme,” theksohet në raport.

Klodiana Cankja, ish-drejtore e Agjencisë së Prokurimeve Publike, e cilësoi mungesën e konkurrencës në tenderë të mëdhenj dhe konkurrencën e madhe në ato të vegjël si prirje të kahershme.

Sipas saj për ta ndryshuar këtë prirje duhet që tenderët e mëdhenj të jenë më të hapura ose thënë ndryshe “më tërheqës” për kompanitë e interesuara.

“Duhen thjeshtuar kriteret, duke u lënë mundësi operatorëve të vijnë, t’i gjejnë atraktive tenderët e mëdhenj siç gjejnë atraktive ato me vlera të vogla,” shprehu mendimin e saj Cankja.

Ndërkohë, Redina Karapici, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), e lidhi mungesën e konkurrencës me praktikat e dobëta të menaxhimit të fondeve nga bashkitë të cilat përdorin fondet pa kursim.

Karapici i pa gjetjet e raportimit si problematika të pasqyruara edhe nga raportet e KLSH-së.

“Ne kemi parë që edhe kur ka tre ose katër ofertues, një ose dy prej tyre qëllon që nuk dorëzojnë dokumentacionin e plotë. Nuk ka sens të hysh në një tender publik dhe të mos paraqesësh ofertën ekonomike, që është thelbi i gjithë konkurrimit,” theksoi Karapici.

Raporti sugjeron rritjen e kapacitetit të menaxhimit të prokurimeve, diversifikimin e kompanive fituese përmes nxitjes së konkurrencës në procedurat me vlera të mëdha duke zgjatur afatet e dorëzimit të ofertave.

Artikulli paraprak“SPAK, shpresa e vetme e shqiptarëve”/ Mërtiri: Rama s’është rehat, mund t’i asgjësohet struktura e blerjes së votës
Artikulli tjetërTaulanda Jupi: SPAK mund t’i japë fund tranzicionit duke hetuar dhe parandaluar manipulimin e zgjedhjeve