Sëmundjet pulmonare kronike po vijnë në rritje të vazhdueshme. Një raport i Institutit të Shëndetit Publik i realizuar në Tiranë, Elbasan, Fier, Kukës dhe Korçë ngre shqetësimin se 37.7% e pacientëve janë në stadin e tretë dhe 35.4% në stadin e 4 të sëmundjes, duke e bërë të vështirë trajtimin.
Shkaqet janë jo pak të njohura, që nga jete sedentare, duhani e deri tek profesioni rritin riskun për t’u prekur nga këto sëmundje. “Rezultatet e përftuara treguan se duhanpirja, mungesa e aktivitetit fizik, dieta ushqimore, obeziteti (mbipesha, obezitet shkalla I, obezitet shkalla II) si edhe profesioni ishin ndër faktorët risk kryesorë, të cilët kanë ndikuar në zhvillimin e problematikave pulmonare (SPOK) në 82.1% rasteve të studiuara dhe kryesisht gjinia mashkull dhe grup-mosha > 50 vjeç.
Rezultatet e përftuara mbi stadin e sëmundjes treguan se vlerat FEV1 në përqindjen më të lartë gjenden te grup-mosha >50 vjeç stadi i III (37.7%), i ndjekur nga stadi i IV ( 35.4%) dhe stadi i II (14.5%)”, – citohet në raportin e ISHP-së mbi prevalencën dhe faktorët e rrezikut të sëmundjes pulonare dhe obstruktive kronike.
MJEKËT
Mjekët në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” vërejnë se paralelisht me SPOK po rriten edhe rastet e kancerit të mushkërive.
“Gjatë viteve të fundit për sa u përket dy nga patologjive kryesore që ne trajtojmë në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, siç janë kanceri i mushkërive si dhe Sëmundjet Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK) kemi shifra në rritje të tyre. Një pjesë e mirë e rasteve trajtohen nga pneumologët e dispancerive në Tiranë apo pneumologët e rretheve, por është vënë re një shtim i rasteve të tyre”, – thotë mjeku pneumolog Arben Tanka.
Ekspertët e ISHP-së thonë në raport se mungesa e aktivitetit fizik, dieta ushqimore, obeziteti, ndotja e ajrit dhe profesioni janë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në zhvillimin e problemeve me mushkëritë në 82.1% rasteve, por mjekët pohojnë se duhanpirja është faktori kryesor.
“Një nga faktorët kryesorë është dunhapirja dhe duhet thënë që gjatë viteve të fundit trendi i duhanpirjes është në rritje, së paku në 10-vjeçarin e fundit që është përhapur edhe tek gjinia femërore. Po ashtu është rritur numri i makinave, trafiku është shtuar dhe është rënduar në qytete të mëdha, kemi edhe bizneset e ndërtimit. Ne mund të hamendësojmë që edhe ndotja e ajrit ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve me SPOK, por pesha më e madhe i atribuohet duhanpirjes”, – shton mjeku pneumolog.
Një tjetër element mbetet ulja e moshë së pacientëve, nën 50 vjeç. Prevalenca e sëmundjeve pulmonare obstruktive kronike kanë një prevalencë në rritje në të gjithë Evropën si pasojë e rritjes së faktorëve të rrezikut si duhani dhe ndotja e ajrit.