Raporti sekret i shërbimeve inteligjente italiane e gjermane qe një goditje e fortë në stomak ndaj përpjekjeve të Ministrisë së Brendshme për të quajtur sukses një luftë të humbur me kultivuesit e kanabisit që në fillimin e saj.
Sipërfaqet e kultivuara me drogë këtë vit janë rritur me 25 për qind, siç raportonte pak muaj më parë gazeta italiane “Corriere della Sera”, duke iu referuar një raporti të policisë italiane.
Raporti i fundit dëshmon për një situatë më dramatike. Janë 363 zona në të cilat kultivohet kanabis prej disa muajsh në Shqipëri. Shtrirja e tyre gjeografike është nga njëri cep i vendit në tjetrin.
Parcelat janë pjesë e të gjitha bashkive të reja e pothuajse të gjithë komunave sipas ndarjes së vjetër administrative.
Vetë raportimet e policisë për asgjësim rrënjësh e konfirmojnë një gjë të tillë. Policia njofton pothuaj çdo ditë për rrënjë që shkul në Sarandë, Gjirokastër, Përmet, Delvinë, Korçë, Ersekë, Tepelenë, Vlorë, Librazhd, Elbasan, Fier, Berat, Skrapar, Lushnjë, Kavajë, Tiranë, Krujë, Lezhë, Shkodër, Mat, Dibër, Kukës etj.
Raporti sekret i shërbimeve italiane e gjermane e konsideron tashmë Shqipërinë si një prej prodhuesve kryesorë të kanabisit në Europë. Tani, kryeqyteti i kanabisit nuk është më Lazarati, por vetë Shqipëria.
Të dhënat e tij tregojnë se “rënia” e Lazaratit rezultoi jo si operacioni që i hapi rrugë heqjes së Shqipërisë nga lista e zezë e vendeve prodhuese të drogës, por si një rasti i izoluar që nuk pati në të vërtetë si qëllim goditjen e trafikantëve dhe çrrënjosjen e kultivimit të kanabisit në vend.
“Raporti sekret dëshmon se e gjithë Shqipëria është kthyer në fermën e madhe të hashashit të Edi Ramës. Njerëzit e tij të besuar që janë drejtuesit e policisë në çdo qark, si Nallbati në Fier, Jeart Çela në Vlorë, Lleshi në Berat, Cullhaj në Durrës, Lenja në Lezhë, Targaj në Dibër, Alban Çela në Shkodër, Hodaj në Tiranë, Arapi në Gjirokastër, Zyberi në Korçë, të gjithë drejtuesit, shefat e komisariateve e klani i tyre, me urdhër të Edi Ramës kanë braktisur detyrën dhe janë vetëm në shërbim të ruajtjes e trafikimit të drogës”, tha dje opozita.
Veç garancisë së marrë nga policia, raporti flet edhe për përdorimin e teknologjisë në ruajtjen e parcelave të kanabisit nga kultivuesit e trafikanët. Në dokument thuhet se ata përdorin edhe dronë për të mbajtur nën kontroll territorin.
Në raport thuhet se çdo vit në Europë harxhohen 24 miliardë euro për drogën dhe një pjesë e mirë e këtyre fitimeve u kalojnë grupeve kriminale shqiptare.
Opozita në Shqipëri thotë se 30% e fitimit të drogës që prodhohet në Shqipëri shkon në llogari të Kryeministrit Edi Rama, para me të cilat, sipas saj, ai do të tentojë të blejë zgjedhjet e ardhshme.
Tonelatat e drogës drejt Italisë
Në tre javët e fundit janë kapur sasi të mëdha droge në Itali dhe një gomone në Vlorë, që dyshohet se trafikonte drogë.
30 korrik 2016: Policia italiane kapi ndërmjet brigjeve të Brindizit dhe Leçes një gomone të ardhur nga Shqipëria me 170 kg marijuanë, të cilën drejtuesit e braktisën për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë italiane.
5 gusht 2016: Policia italiane kap në brigjet e Salentos një shtetas italian me 120 kg marijuanë, i cili vinte nga Shqipëria. Italiani kishte hyrë në ujërat shqiptare ishte ngarkuar dhe po kthehej në Itali.
7 gusht 2016: Policia e Vlorës kap një gomone bosh, e cila mendohet se përdorej për trafik droge.
12 gusht 2016: Policia italiane kapi në ujërat pranë Pulias një gomone me 2 ton marijuanë, e cila vinte nga Shqipëria.
Asnjë nga këto raste nuk është zbuluar nga policia shqiptare, përveç një këngëtareje të kapur në Qafë Thanë me 12 gram kanabis, më 22 korrik 2016.
Përse kjo situatë? Përse policia u fut sërish në listën e prodhuesve më të mëdhenj të kanabisit në Europë, vetëm dy vjet pas megaoperacionit në Lazarat, zhurma e të cilit u dërgua deri në Bruksel?
Raporti flet për përfshirjen e policisë në këtë aktivitet kriminal. “Trafikantët nga Jugu në Veri bashkëpunojnë me drejtues lokale dhe oficerë të policisë për të garantuar mbrojtjen e parcelave me drogë kundrejt pagesës prej 10 euro për rrënjë, ose duke dhënë si këmbim 30% të prodhimit në fund”, thuhet në raportin sekret të shërbimeve italiane e gjermane.
Prodhohen 1 mijë ton drogë në vit
Shqipëria konsiderohet një prej prodhuesve kryesorë të kanabisit në Europë duke mundur të kalojë mbi një mijë ton kanabis sativa në vit. Trafikantët nga Jugu në Veri bashkëpunojnë me drejtues lokalë dhe oficerë të policisë, për të garantuar mbrojtjen e parcelave me drogë kundrejt pagesës prej 10 euro për rrënjë, ose duke dhënë si këmbim 30 për qind të prodhimit në fund. Të dhënat sekrete kanë evidentuar se trafikantët veç bandave të armatosura, po përdorin edhe dronet për kontrollin e hapësirave me kanabis.
Për herë të parë kjo teknologji është zbatuar në Krujë dhe sipas të dhënave, po përhapet me shpejtësi edhe në zona të tjera.
Tendenca e kultivimit këtë vit ka kaluar parashikimet. Këto dokumente tregojnë se hashashi ka mbuluar jo vetëm lumin e Vlorës, Tepelenën apo Malësitë e Dukagjinit, por edhe zona të tëra në juglindje, veri, në Fier, Berat e Skrapar apo edhe në Mat, Krujë e Dibër.
Trafikantët gjithashtu janë kujdesur të sigurojnë fara kanabisi që sigurojnë rritje të shpejtë dhe me cilësi.
Gjithë sasia e hashashit kalon në Perëndim, por këtë radhë, duke ndryshuar edhe rrugët tradicionale. Së fundmi, tonelatat me drogë ndjekin itinerarin: Shkodër-Mali i Zi-Serbi-Hungari dhe më pas në Gjermani.
Në tregjet perëndimore, marokenët janë drejtuesit kryesorë të trafikut dhe ata sipas informacioneve bashkëpunojnë ngushtë me grupet shqiptare. Ato shpërndajnë hashashin në Itali e Greqi, e më pas dhe në Holandë, Francë, Hungari, Çeki, Austri e Gjermani.
Raporti thekson se çdo vit në Europë harxhohen 24 miliardë euro për drogën dhe një pjesë e mirë e këtyre fitimeve u kalojnë grupeve kriminale shqiptare.
PD: Rama në krye të skemës së 30% të drogës
Partia Demokratike me anë të kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se Edi Rama është në krye të biznesit të drogës, duke u bazuar në të dhënat e bëra publike nga një raport sekret i policive italiane dhe gjermane.
“Raporti sekret i shërbimeve italiane dhe gjermane i publikuar në media, konfirmon denoncimet e përditshme të Partisë Demokratike dhe thekson se njerëzit e Edi Ramës në Policinë e Shtetit, janë menaxherët e kanabisit dhe vjelin taksën 30 për qind për çdo rrënjë të mbjellë”, tha gjatë deklaratës së tij, Enkelejd Alibeaj.
“Raporti sekret dëshmon se e gjithë Shqipëria është kthyer në fermën e madhe të hashashit të Edi Ramës.
Njerëzit e tij të besuar që janë drejtuesit e policisë në çdo qark, si Neritan Nallbati në Fier, Jeart Çela në Vlorë, Fatmir Lleshi në Berat, Perlat Cullhaj në Durrës, Lenja në Lezhë, Targaj në Dibër, Alban Çela në Shkodër, Hodaj në Tiranë, Arapi në Gjirokastër, Zyberi në Korçë, të gjithë drejtuesit, shefat e komisariateve e klani i tyre, me urdhër të Edi Ramës kanë braktisur detyrën dhe janë vetëm në shërbim të ruajtjes e trafikimit të drogës.
Sepse edhe Edi Rama ka braktisur detyrën dhe ka prioritet vetëm plantacionet me drogë. Kanabizimi i vendit po mbyt ekonominë e ndershme, po shfrytëzon burimet dhe asetet e vendit dhe po sjell krime e vrasje. Nga ky biznes kriminal përfitojnë vetëm bandat, drejtuesit e Edi Ramës në polici dhe sigurisht vetë ai, në krye të skemës së 30 për qindëshit.
Kjo nuk është zgjedhja e shqiptarëve. Shqiptarët nuk duan drogë, por punë të ndershme e siguri për familjet e tyre. Qytetarët do ta heqin këtë zgjedhë të bandave të drogës me Edi Ramën në krye. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, tha Alibeaj në deklaratën e tij për media.