Raporti shastisës i KLSH: 825 milionë euro janë vjedhur nga arka e shtetit në 2017

Raporti i fundit i KLSH-së për vitin 2017, zbulon shkelje pothuajse në të gjitha institucionet. Por konstatimi i raportit të firmosur nga Bujar Leskaj është më i frikshëm sesa shifra e abuzimit: “KLSH nga auditimet e kryera në vitin 2017 ka identifikuar mungesë përgjegjshmërie nga titullarët e institucioneve të çdo niveli, mosnjohje të kërkesave të ligjit të menaxhimit financiar, nivele të dobëta dhe ineficiencë të sistemeve të kontrollit të brendshëm, duke krijuar të gjitha mundësitë për shpenzime jo në përputhje me kërkesat ligjore dhe efektivitet të ulët në shpenzimin e fondeve buxhetore.
Nga auditimet e këtij viti, KLSH-ja ka konstatuar se vijojnë praktikat dhe vendimmarrjet institucionale me efekte negative në fondet publike”. Qartësisht, KLSH-ja flet për një qeverisje të degraduar, e cila në finale, sipas saj, ka sjellë një dëm prej 825 milionë eurosh. Por duket se kjo rrugë abuzimi është e vjetër. “Dëmi i konstatuar ka një prirje negative, të konsoliduar në vitet e fundit”, theksohet në raportin e Leskajt.
KU JANË ZBULUAR DËMET
KLSH-ja ka një raport prej rreth 280 faqesh, të cilin e ka dorëzuar dje në Kuvend. “Edhe në këtë vit, shkeljet më të mëdha me efekte të konsiderueshme në kundërshtim me kërkesat ligjore mbeten në fushën e keqmenaxhimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të fondeve buxhetore; keqadministrimit të pronës shtetërore e pasuar nga parregullsitë dhe ineficiencat e fushës së prokurimit publik”, thuhet në raport.

Por në një përmbledhje duket se janë dy fushat ku abuzimi ka kapur vlera rekord. E para është shkelja e disiplinës financiare, të cilat kanë sjellë një shpenzim të pavlerë për ekonominë. Ndikimi negativ i matur nga KLSH-ja në perfomancën e fondeve publike të shpenzuara nga subjektet kontrolluara kap shifrën e 739.7 milionë euro.
“92.7 miliardë lekë në fushën e të ardhurave ose afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3 miliardë lekë ose afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve”, thuhet në raport. Dëmi tjetër vjen nga gjetja e parregullsive në shpenzime dhe mbledhjen e të ardhurave. KLSH-ja vlerë- son se dëmi ekonomik ka kapur “shumën totale prej 11.5 miliardë lekë ose 85.8 milionë euro”. Në finale shuma arrin një tjetër rekord. “Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliardë lekë ose afërsisht 825,64 milionë euro”, thekson raporti.
SHKELJET E ZBULUARA NGA KLSH
Parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliardë lekë ose 85.8 milionë euro.
Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e fondeve publike të shpenzuara nga subjektet e audituara, në shumën totale prej 99.05 miliardë lekë ose afërsisht 739.7 milionë euro nga e cila: 92.7 miliardë lekë në fushën e të ardhurave ose afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3 miliardë lekë ose afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve.
Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliardë lekë ose afërsisht 825,64 milionë euro.

KALLËZIMET PENALE
Në 47 kallëzimet dhe indiciet penale të hartuara nga KLSH-ja, janë ngarkuar me përgjegjësi penale 129 persona nga të cilët:
23 titullarë institucionesh (7 Bashki dhe ish-Komuna, 7 ZVRPP, 4 ALUIZNI, 1 SH.A. dhe 4 të tjerë)
41 nëpunës të nivelit drejtues të tjerë (pa përfshirë 23 titullarët)
5 subjekte private
60 nëpunës të tjerë
Veprat kryesore penale, për të cilat akuzohen këta persona janë “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Shkelje e barazisë së pjesë- marrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal dhe “Falsifikim dokumentesh”, parashikuar nga neni 186 të Kodit Penal.

Exit mobile version