Raporti: Shqipëria pa kreativitet dhe inovacion

Shqipëria pozicionohet e fundit në renditjen që vlerëson potencialin ekonomik të një vendi, bazuar mbi tregues të ndryshëm nga PBB-ja, si kreativiteti dhe inovacioni, sipas indeksit më të fundit të publikuar nga Indigo. Duke rënë i 79-i në renditje, vendi është shumë më mbrapa fqinjëve duke u vlerësuar me pikët më të ulëta për sa i përket inovacionit dhe kreativitetit (62.9 pikë), ndërkohë që asnjë prej fqinjëve nuk vlerësohet nën 100 pikë.
Tregues tjetër i dobët është edhe ekonomia dixhitale, ku vlerësohemi me 68.7 pikë.
Duke përdorur të dhëna nga burime si Banka Botërore, UNESCO dhe Universiteti i Havardit, studimi rendit 152 vende sipas pikëve që kanë shënuar në 5 kategori: krijimtaria dhe inovacioni, diversiteti ekonomik, ekonomia dixhitale, liria, si dhe stabiliteti me qëndrueshmërinë ligjore.
Në studim thuhet se vendet nuk mund të mbështeten vetëm tek projeksioni i PBB-së për të parashikuar performancën ekonomike në të ardhmen, duke qenë se bazohet në aktivitetin e kombinuar të miliona njerëzve të ndikuar nga shumë faktorë të ndryshëm socioekonomikë.
Ekonomia botërore po ndryshon me shpejtësi dhe e ardhmja nuk ka asnjë ngjashmëri me të kaluarën.
Në këtë epokë të re ekonomike, burimi kryesor i pasurisë së vendeve nuk është më renta për burimet natyrore, por nga infrastruktura shoqërore që i mundëson çdo njeriu që të kuptojë potencialin intelektual apo kreativ.
Në mënyrë që të masë aftësinë e një vendi për të konkurruar dhe për t’u rritur në këtë epokë të re të ekonomisë, është jetësore që të vështrohet infrastruktura socioekonomike në një rreze më të gjerë si: niveli i edukimit, infrastruktura e të bërit biznes, sistemi ligjor, të drejtat e pronës intelektuale dhe pronës së paluajtshme, mjedisi i konkurrueshmërisë, stabiliteti politik, infrastruktura dixhitale dhe ekosistemi i mijëra furnizuesve që mundësojnë shërbime të cilësisë së lartë që nga sipërmarrjet e financimit deri te Web dizajn.
Stabiliteti dhe korniza ligjore – përfshin indeksin e stabilitetit politik, kontrollin e korrupsionit, efikasitetin e qeverisë, cilësinë e ligjeve. Kreativiteti dhe inovacioni – përfshin masat në përhapjen e arsimit, normën e analfabetizmit te të rriturit, arsimin terciar, Indeksin Botëror të Kreativitetit dhe investimet në Kërkim dhe Zhvillim.
Diversiteti ekonomik – përfshin rentën për burimet natyrore, aplikimin e patentave, të drejtat e pronës intelektuale, aplikimet e markës tregtare dhe Indeksin e Diversitetit Ekonomik. Ekonomia dixhitale – përfshin eksportin e teknologjisë së informacionit,  abonimet celulare, përdoruesit e internetit dhe lidhjen globale. Liria – përfshin masat ndaj lirisë së shtypit, renditjen e demokracisë dhe Indeksin e Demokracisë.

Exit mobile version