Raporti i BERZH: Shqipëria vendi i dytë në rajon për keqqeverisjen

Raporti i fundit i tranzicionit i Bankës Europiane për Rimdërtim dhe Zhvillim (BERZH) i cili këtë vit është përqendruar në rëndësinë që ka roli i shtetit për shkak të krizës së Covid-19, konstaton se treguesit e mirëqeverisjes në vend janë përkeqësuar, po ashtu dhe eficienca e gjyqësorit dhe perceptimi i korrupsionit dhe stabilitetit politik. Në këtë raport, BERZH mat indeksin e vlerësimit të cilësive të tranzicionit (“assessments of transition qualities” – ATQ), për 6 tregues, konkurrueshmëria, mirë-qeverisja, ekonomia e gjelbër, gjithëpërfshirja, rezistenca, integrimi.

“Pikët e ATQ për qeverisjen kanë rënë në Shqipëri, Mongoli, Poloni, Turqi dhe Ukrainë, me përkeqësim domethënës të konstatuar në eficiencën e gjykatave (Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Polonia dhe Ukraina), dhe në perceptimin e korrupsionit dhe stabilitetit politik (Shqipëria, Mongolia, Polonia, Turqia dhe Ukraina)”, thuhet në raport.

Pikët renditen nga 1 në 10, ku 10 përfaqëson nivelin më të lartë që i korrespondon standardeve të një ekonomie të qëndrueshme tregu.

Sipas vlerësimit të BERZH, pikëzimi për mirëqeverisjen e Shqipërisa ra nga 5.16 në vitin 2019, në 4.5 në 2020, duke qenë vendi i dytë me qeverisjen më të keqe në Europen Juglindore, pas Bosnjë Hercegovinës (3.98). Pikët më të larta në rajon për mirëqeverisjen i merr Mali i Zi (6.27).

“Pikët kanë rënë në Shqipëri|, Bosnjë Hercegovinë, Mongoli, Maqedoni e Veriut dhe Poloni, si rrjedhojë e përkeqësimit të treguesve që masin efektivitetin e gjykatave, informalitetin, perceptimin e korrupsionit dhe kuadrin për zbatimin e rregullave”, thuhet në raport.

Krahas mirëqeverisjes, Shqipëria paraqitet më dobët se rajoni edhe në ekonominë e gjelbër, gjithëpërfshirjen dhe rezistencën, ndërsa është afër mesatares rajonale për konkurrueshmërinë dhe integrimin (shiko skemën më poshtë).

Sipas raportit, gjatë periudhës 2016-20, rezultatet për efektivitetin e gjykatave dhe pavarësinë e gjyqësorit kanë rënë në shumë vende. Në të kundërt, rezultatet për qeverisjen elektronike, mbrojtja e të drejtave të pronës dhe zbatimi i kontratave janë përmirësuar në përgjithësi.

Shumë vende kanë vazhduar të ecin përpara me reformat në lidhje me qeverisjen, veçanërisht në lidhje me politikat anti-korrupsion, përputhjen me standardet e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore dhe dixhitalizimin e shërbimeve qeveritare. /Monitor

Artikulli paraprakTjetër mashtrim i qeverisë, vetëm në spitalin e Shkodrës po trajtohen 5 pacientë me Covid-19…
Artikulli tjetërShëndetësia nuk është falas për shqiptarët, për 4 koncesione të Ramës do të paguhen 370 milionë euro