Shqipëria radhitet në 5 vendet e mëdha të kultivimit të kanabisit bashkë me Kolumbinë, Xhamajkën, Holandën dhe Paraguain. Në këtë përfundim ka arritur Organizata e Kombeve të Bashkuara në raportin e saj të fundit për drogën në të gjithë botën. Sipas raportit, vendi ynë gjeneron 2.6 për qind fitime të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga droga.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar raportin e këtij viti për drogën në të gjithë botën.
Sipas të dhënave në raport, vendi ynë gjeneron 2.6 për qind fitime të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga droga.
Kjo shifër rezulton më e lartë në vendin tonë krahasuar me vende të tjera më të zhvilluara si Italia, Franca e Britania, të cilat janë tregjet kryesore të shitjes së drogave.
Raporti, i cili ka analizuar 129 vende për një periudhë nga 2009 më 2014, tregon se Shqipëria është një nga vendet e mëdha të kultivimit të kanabisit, së bashku me Kolumbinë, Xhamajkën, Holandën dhe Paraguain.
Organizata e Kombeve të Bashkuara shkruan se të ardhurat e drogës vetëm në të ashtuquajturën rrugë ballkanike kapin shifrën e 28 miliardë dollarëve në vit.
Në raport shkruhet se më 2014 në Shqipëri janë prodhuar 540 tonë drogë dhe janë zbuluar 551.414 bimë kanabis.
Sipas raportit, kanabisi është droga më e kultivuar në botë, kultivimi i opiumit është zvogëluar vitin e kaluar, ndërsa kokaina ka qenë në rritje.
Në forma të ndryshme, kanabisi është kapur në 95 për qind të vendeve gjatë 2014, kurse sa u përket trafikantëve, pjesa më e madhe janë meshkuj, edhe pse nuk mungojnë femrat.
Megjithatë raporti flet për një tendencë në rënie të femrave të lidhura me trafikun e drogës.
Rreth 3.8 për qind e popullsisë globale ka përdorur kanabis në vitin 2014.
340 milionë dollarë fitimet vjetore
Fitimet vjetore nga tregtia e paligjshme e drogave në Shqipëri janë sa 2.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (ajo që prodhon ekonomia në një vit). Shifra bëhet e ditur në raportin botëror të drogave 2016, të publikuar së fundmi nga UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin). Raporti thekson se fitimi në raport me PBB-në në Shqipëri dhe vende të tjera në zhvillim është më i lartë se ato të zhvilluara, për shkak të madhësisë së vogël të GDP-së së këtyre vendeve. Në shtetet e zhvilluara ajo luhatet në 0.07-0.19% të PBB-së, ndërsa në Bullgari për shembull, është 1.22%. Shqipëria dhe Bullgaria, së bashku me Republikën e Iranit (1.66% e PBB) janë vendet që kanë fitimet më të larta nga tregtia e paligjshme e drogave në raport me PBB-në.
Duke pasur parasysh që PBB e Shqipërisë është rreth 13 miliardë USD në vit (sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave), atëherë fitimi nga tregtia e paligjshme e drogave llogaritet rreth 340 milionë USD në vit. Kjo rezulton të jetë shuma vjetore e valutës që hyn në Shqipëri në vit dhe destinacioni apo mënyra e përdorimit të tij (si pastrohen këto para) është e panjohur. Për krahasim, kjo shumë është sa gjysma e parave që emigrantët dërguan në Shqipëri më 2015-n apo sa 15% e eksporteve vjetore zyrtare të mallrave. Ky burim i paligjshëm hyrjesh valutore shpjegon edhe arsyen pse monedha vendase është e fortë në tregun e këmbimeve valutore, pavarësisht se vendi ka një deficit ndër më të lartit në rajon të llogarisë korente -diferencës së valutës që hyn dhe asaj që del- prej mbi 11% të PBB-së (shënim i “Monitor”).
Raporti i UNODC i referohet të dhënave të vitit 2014. Shqipëria përmendet edhe si një nga pesë burimet kryesore të furnizimit të tregjeve ndërkombëtare me kanabis. “Raportet nga shtetet anëtare për periudhën 2009-2014 tregojnë se Shqipëria, Kolumbia, Xhamajka, Holanda dhe Paraguaji janë shtete të rëndësishme që janë burim i barit të kanabisit të shitur në tregjet ndërkombëtare”, thekson raporti.
Sipas UNODC, fitimet nga tregtia e ligjshme e drogave përbëjnë nxitës të konsiderueshëm financiarë për grupet e organizuara kriminale. Për shembull, një studim i fundit i UNODC gjeti se të ardhurat e drogave të kontrabanduara përmes rrugës së Ballkanit drejt Europës janë mesatarisht 28 miliardë dollarë në vit. Pothuajse gjysma e këtyre fitimeve u gjeneruan në katër shtete europiane, që janë tregu më i madh ilegal për drogat: Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Si pastrohen paratë e drogës
Pastrimi i parave, thekson raporti, ndodh përmes shumë mënyrash të ndryshme, duke variuar nga përdorimi i teknikave të vogla të decentralizuara, përfshirja e dërgesave të parave ose remitancat deri te përdorimi i sofistikuar i bizneseve mbështetëse; të të gjitha rastet, gjithsesi, të ardhurat nga tregtia e ligjshme e drogave riqarkullohen përmes mjeteve të ligjshme. Në shumë raste, të ardhura të tilla të paligjshme mund të injektojnë sasi të mëdha cash-i në ekonominë e një vendi dhe mund të kenë efekte të rëndësishme makroekonomike, si ndryshime në vlerat e monedhave dhe rritje të rezervave valutore, siç ka ndodhur në një numër vendesh të Afrikës Perëndimore, disa prej të cilave janë ndikuar në mënyrë domethënëse nga trafiku i kokainës. Në Guinea-Bissau, për shembull, rezervat valutore të huaja u rritën nga 33 milionë dollarë në vitin 2003 në 174 milionë dollarë më 2008; dhe në Gambia, vlera e dalasi u rrit me shpejtësi, pa ndryshime të dukshme në flukset e kapitalit.