Performanca e rritjes në Ballkanin Perëndimor u përmirësua në tremujorin e tretë 2016, kur prodhimi i rajonit u përshpejtua në rreth 2.5% me bazë vjetore, sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate dhe ato potencial kandidate. Kjo erdhi kryesisht për shkak të rritjes së prodhimit në Serbi, ekonomisë më të madhe në rajon. PBB e Serbisë u përshpejtua në 2.6%, në rritje nga 1.9% në tremujorin e mëparshëm, e mbështetur nga eksportet e forta dhe performanca e investimeve. Gjithashtu dhe Kosova dhe Bosnje-Hercegovina regjistruan një rritje më të fortë të prodhimit. Në të kundërt, Maqedonia regjistroi një ngadalësim në 2.4% (nga 3.1%) duke reflektuar investimet në mënyrë domethënëse më të ulëta dhe rënie të besimit, si rrjedhojë e krizës së zgjatur politike. Rritja e prodhimit vjetor u ngadalësua lehtë në Shqipëri dhe Mal të Zi, por të dy vendet vazhduan të përfitonin nga investimet e forta dhe eksportet.
Në tërësi, për tremujorin e tretë, Ballkani Perëndimor u zgjerua me 2.6%, në rritje nga mesatarja prej rreth 2% më 2015.
Në Shqipëri, rritja ishte rreth 3.1% me bazë vjetore në tremujorin e tretë, në krahasim me rritjen e rishikuar për lart prej 3.3% në tremujorin e parë dhe 3.4% në të dytin. Rritja e konsumit u ngadalësua nga 4.1% në tremujorin e mëparshëm, në 1.6% në të tretin. Tregu i punës u përmirësua, teksa norma e papunësisë ra në 15.2%, si rrjedhojë e rritjes së punësimit në industri, shërbime e bujqësi.
Deficiti i llogarisë korente, pas një përkeqësimi të ndjeshëm në tremujorin e dytë u përmirësua me 35.5% në të tretin. Gjithsesi, për 9-mujorin, deficiti i llogarisë korente u përkeqësua me 11% në krahasim me 2015-n.
Të ardhurat për 11-mujorin ishin 1.4% më pak se plani. Me rishikimin e buxhetit, borxhi publik u rrit me 0.4 pikë përqindje në 71.3% të PBB-së.
Kreditë me probleme u ulën nga niveli më i lartë i vitit prej 21.4% në gusht në 20.4% në nëntor. Rritja vjetore e kredisë (që reflekton dhe efektin e fshirjes së detyrueshme të disa kategorive të huave me probleme), që ishte negative deri në gusht, u kthye në pozitive në muajt në vijim dhe arriti 0.8% në nëntor.