Raporti: Shqipëria vijon të kryesojë listat për numrin e azilkërkuesve

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtetet e Evropës Lindore që kanë kryesuar në kërkesat e tyre për azil në vitin 2015, sipas një raporti të fundit të Pew Research Center, që ka analizuar të dhënat nga Eurostat, agjencia statistikore e Bashkimit Europian. Sot,thotë raporti, vendet e Evropës Lindore, si Kosova dhe Shqipëria ende kontribuojnë në rrjedhën e përgjithshme të azilkërkuesve në BE, Norvegji dhe Zvicër, por rreth gjysma e refugjatëve në 2015 kishin origjinë nga vetëm tre vende: Siria, Afganistani dhe Iraku.
Disa prej azilkërkuesve të Evropës në vitin 2015 ishin nga rajone që kanë pasur dhe valë të kaluara të emigrantëve. Gati një në pesë azilkërkues në vitin 2015 (17%) kanë ardhur nga vendet evropiane jashtë BE-së, Norvegjia dhe Zvicra, duke përfshirë azilkërkuesit nga Kosova (68.000 në vitin 2015, nga 35.000 në 2014), Shqipëria (67,000 në vitin 2015,nga 16,000 në vitin 2014) dhe Ukraina (21.000 në vitin 2015, nga nga 14,000 në vitin 2014).
Kosova dhe Shqipëria janë përkatësisht në vendin e katërt dhe të pesë për kërkesat për azil  (duke përbërë secila nga 5% të totalit) për vitin 2015, pas tre shteteve që i ikin luftës: Siria, Afganistani dhe Iraku. Madje raporti vë në dukje se Europa mori pothuajse të njëjtin numër të aplikimeve për azil nga Shqipëria dhe Kosova së bashku, sa mori dhe nga Iraku. Nga Shqipëria në Gjermani kishte 54 mijë azil kërkues.
Në total, një rekord prej 1.3 milionë emigrantë kanë aplikuar për azil në 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Norvegji dhe Zvicër në 2015 – pothuajse dyfishi  i rekordit të mëparshën prej 700,000 vetësh, që ishte vendosur në vitin 1992 pas rënies së Perdes së Hekurt dhe rënies së Bashkimi Sovjetik.
Që nga viti 2012, Gjermania ka qenë vend kryesor destinacioni për azilkërkuesit në Evropë, duke marrë 442,000 kërkesa për azil vetëm në vitin 2015. Pas Gjermanisë vjen Hungaria (174,000 aplikacione) dhe Suedia (156,000). Ndërkohë, Franca (71.000) dhe Mbretëria e Bashkuar (39,000) kanë marrë afërsisht numrin e njëjtë të aplikacioneve në vitin 2015, si në vitet kur vala e emigracionit nuk ishte kaq masive
Shqipëria është një ndër 5 vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian.  Shqiptarët vazhdojnë që të kryesojnë listat e kërkesave për azil në Europë edhe gjatë 2016. Në Islandë Shqipëria renditet e para në listë, ndërsa në Holandë të dytët pas sirianëve. Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, 287 100 azilkërkues kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Të dhënat janë bërë publike nga Eurostat. Në këto statistika Shqipëria vazhdon që të jetë përsëri në listat e Eurostat, ku shpeshherë radhiten në vend të parë dhe të dytë për sa i përket numrit të kërkesave për azil. Në rang të përgjithshëm të këtij tremujori të parë Shqipëria ka një shifër prej 2%, duke u radhitur së bashku me vende si Eritrea dhe Nigeria. Normalisht lista kryesohet nga Siria me 36% e më pas Iraku dhe Afganistani me 12%. Ndërkohë, janë mbi 1 milion kërkesa për azil që duhet të shqyrtohen nga autoritetet e vendeve evropiane.
Me 473 mijë kërkesa, 47% në total, Gjermania kryeson listën e vendeve që ka pritur më shumë azilkërkues, ndërsa ndiqet nga Suedia me 15%, Austria 8%, Italia, 6% dhe Franca me 4%. Për sa i përket mbërritjeve të emigrantëve në brigjet italiane, ritmi mbetet i njëjtë me vitin e kaluar. E shqetësuar nga ky trend, qeveria holandeze ka ndërmarrë masa për ta kufizuar valën. Shqipëria ka shënuar nivelin më të lartë të emigracionit neto ndër të gjitha vendet e rajonit krahasuar me numrin e popullsisë. Sipas statistikave të Bankës Botërore, Shqipëria u rendit në mesin e vendeve me potencial të lartë të riskut social, e ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit, që e kombinuar me një krizë fiskale e bën vendin jo shumë të lakmueshëm për të bërë biznes, thuhet në raportin e Forumit Ekonomik Botëror për Rreziqet Globale më 2016.  Në raportin e publikuar nga Eurostat për 2015 për azilkërkuesit të regjistruar për herë të parë në vendet e Bashkimit Evropian gjatë 2015-ës, shifrat flasin negativisht për vendin tonë. Sipas shifrave të publikuara, Shqipëria përbën 5% të të gjithë azilkërkuesve në 2015, e përkthyer në shifra, plot 65 935 kërkesa për azil.

Exit mobile version