Ndonëse tremujori i tretë rezultoi me një rritje të kënaqshme ekonomike dhe turizmi ishte në kulmin e tij, konsumi i nuk ka reflektuar të njëjtin optimizëm.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, konsumi final i popullatës në tremujorin e tretë të vitit 2016 shënoi një rritje vjetore prej 1.65%, larg zgjerimit prej 3.1% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe në raport me ritmet e tremujorit të dytë (me 4.09%) ka një ngadalësim të ndjeshëm.
Konsumi gjithsej (përfshirë dhe atë të administratës publike) u zgjerua me 1.87%, nga 2.95% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pasi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, konsumi zbriti në nivele negative për herë të parë në dekadën e fundit, ai u përmirësua ndjeshëm në tremujorët në vijim. Por, më shumë sesa një zgjerim real ai reflektoi formalizimin e ekonomisë, pasi përkoi me kulmin e aksionit kundër informalitetit (shtator 2015), kur bizneset filluan të prisnin masivisht fatura e raportonin më shumë të ardhura. Ky formalizim u reflektua dhe në tremujorin e dytë 2016, ku pas vlerave negative të 2015-s, rritja kërceu në 4.09%.
Formalizimi i ekonomisë, që u shoqërua me rritje të deklarimeve të xhirove të bizneseve e bëri të vështirë vlerësimin se sa shifrat tregonin rritje reale dhe sa ishte efekt statistikor për efekt raportimi formal. Tashmë që ka kaluar më shumë se një vit nga aksioni, tremujori i tretë duket se e ka “fshirë” këtë efekt dhe konsumi ka zbritur me këmbë në tokë.
INSTAT ka rishikuar me rritje ecurinë ekonomike të vendit për tremujorin e parë dhe të dytë, duke reflektuar të dhënat e reja nga TVSH e paguar nga bizneset dhe bujqësia, ndërsa ka publikuar dhe informacionin për tremujorin e tretë. Për 9-mujorin, zgjerimi i ekonomisë shqiptare ishte 3.27%.
Në tremujorin e tretë, rritja ekonomike ishte 3.08%.
Për tremujorin e parë, ekonomia është rishikuar në rritje, nga 2.96% në 3.3%. Edhe në të dytin, tashmë INSTAT ka vlerësuar se ekonomia është rritur me 3.4% dhe jo me 3.21% siç kishte deklaruar më parë.