Raporti tronditës i KLSH: Në 3 vite u futën ilaçe pa analiza nga vende si Bangladeshi e Kina

Barna të importuara nga vende si India, Bangaldeshi, Kina, dhe që lejohen vetëm me autorizim ministri, janë hedhur në qarkullim pa iu kryer analizat fiziko-kimike.

Kontolli i Lartë i Shtetit në një auditim performance “Efektiviteti dhe siguria e barnave që qarkullojnë në Shqipëri” vlerëson se janë qindra mijëra pako barnash që janë hedhur në qarkullim në tre vite nga 2020-2023.

“Për periudhën 2020-2023, të gjitha barnat e importuara me autorizim ministri për barnat e paautorizuara janë vënë në qarkullim pa u kryer nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësorë (AKBPM) analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike.

 Nga përpunimi i të dhënave të vëna në dispozicion nga AKBPM-ja për barnat e paautorizuara, rezulton që për periudhën nën auditim (vitet 2020-2023) janë importuar 48 lloj barnash nga India, Kina, Koreja e Jugut, Bangladeshi dhe Singapori nëpërmjet 75 autorizimeve të ministrit të MSHMS, nga të cilat në total janë importuar 763,721 pako barna nga vendet e mësipërme dhe 600,000 doza vaksina COVID-19”, thuhet në auditim.

Ky institucion nënvizon se këto barna janë ilaçe antiretrovirale kundër HIV/AIDS, vaksinë polimeliti, vaksinë COVID-19, vaksinë kundër difterisë, tetanozit dhe kollës së mire, ilaç kundër shtatzënisë së padëshiruar, vaksinë gripi sezonal (katërvalent), vaksinë hepatiti B, vaksinë kundër tërbimit, aniviral COVID-19, vaksinë rotavirus (ethe, kolle, diarre), vaksinë e indikuar për parandalimin e gastroenteritit, vaksinë për ethet e verdha, ilaç antiretrovirale HIV për fëmijë, vaksinat për fruthin.

Audisuesit vlerësojnë se pavarësisht se në vend lejohen importet e këtyre barnave me autorizim ministri, sipas nevojës që ka tregu, është detyra e institucioneve shqiptare që të bëjnë analizat dhe kontrollin e tyre.

“Procesi i vënies në qarkullim për barnat e paautorizuara të cilat lejohen të hynë në Shqipëri dhe vihen në qarkullim në bazë të autorizimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, kryhet pa kryer nga institucionet tona analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike.

 Mos analizimi i mostrave për këtë kategori barnash, rrit 2-fish pasigurinë e cilësisë së barnave të vendosura në treg, në rastin e parë sepse mund të importohen nga vende jo të sigurta dhe së dyti sepse nuk është e detyrueshme kryerja e analizave, rrjedhimisht rrezikohet shëndeti i popullatës”, nënvizon auditimi./MONITOR

Artikulli paraprakTrump është njëkohësisht një ndryshim shumë i madh por edhe ruajtje e plotë e linjave të vjetra
Artikulli tjetërIsh-ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut emërohet zëvendës sekretare e NATO-s