Raporti: Ujësjellësi i Himarës, ndikime të mëdha negative mbi parkun e Vjosës

default

Përmes një raporti vlerësimi, Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës i kërkoi qeverisë shqiptare të shmangë planet për devijimin e ujit nga burimi i Shushicës për të mbrojtur biodiversitetin në këtë zonë.

Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, IUCN, publikoi të hënën një raport vlerësimi mbi projektin e Ujësjellësit të Himarës, një projekt tashmë i kundërshtuar nga aktivistë dhe banorë të luginës së Shushicës.
Ky raport vlerësimi i përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas doli në përfundimin se projekti për devijimin e ujit nga burimi i lumit të Shushicës do të kishte ndikime të rënda mbi biodiversitetin e parkut kombëtar të Vjosës, dhe nuk përmbush standardet e IUCN për parqet kombëtare.
“Shmangia është e domosdoshme për të arritur mos humbjen e biodiversitetit dhe për të shmangur ndikimet negative të mëdha mbi integritetin e Parkut Kombëtar dhe Lumit të Egër të Vjosës dhe objektivat ë tij,” thekson raporti, i cili më tej ofron skenarë alternetivë të shmangies së projektit.
Qeveria shqiptare filloi punimet për projektin e Ujësjellësit të Himarës më 10 Janar 2023, nëpërmjet të cilit synon të devijojë ujin nga burimi Lëpushë i Shushicës drejt bregdetit të Himarës për të mbështetur turizmin masiv, nëpërmjet shtirjes së një tubacioni prej 17 km. Ky plan prek mijëra banorë të komunitetit të Lumit të Vlorës.
Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) thekson në raportin e publikuar domosdoshmërinë e shmangies së projektit dhe përdorimin e burimeve alternative të ujit.
Ngjashëm, edhe aktivistët e organizatave mjedisore EcoAlbania, Riverëatch dhë EuroNatur mirëpritën rezultatet e raportit dhe i bënë thirrje qeverisë shqiptare që të veprojë sipas gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit.
“Ky raport forcon qëndrimin që kemi mbajtur që nga fillimi i kësaj beteje se projekti do të shkaktonte dëme të mëdha në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, dhe ndërsa ka burime të tjera ujore, ky projekt është plotësisht i panevojshëm,” tha Olsi Nika nga EcoAlbania.
“Skenari i Shmangies është e vetmja rrugë për të mbrojtur një nga ekosistemet e fundit të lumenjve të egër në Evropë,” vijoi Nika.
Edhe banorë të komunitetit që shtrihen përgjatë luginës së Shushicës mbështetën gjetjet e raportit të IUCN dhe shprehën rishtazi indinjatën e tyre mbi planet e qeverisë.
“Ne nuk do qëndrojmë duarkryq dhe të lejojmë këtë projekt t’na shkatërrojë lumin dhe jetën tonë”, tha Astrit Balilaj, kryeplak i fshatit Kuç, një prej fshatrave që preken më së shumti nga ky projekt.
“Qeveria duhet të dëgjojë shkencën dhe komunitetin dhe të heqë dorë nga ky projekt”, përfundoi Balilaj.

Reporter.al

Exit mobile version