Shtatë universitete publike në vend shpenzuan 87.9 milionë euro, për vitin akademik 2023-2024, ku 70% e tyre shkuan për rroga.
Në një monitorim të organizatës Qëndresa Qytetare për transparencën financiare, janë vendosur në lupë Universiteti i Tiranës, Mjekësisë, Politeknikut, i Elbasanit, Korçës, Durrësit dhe Shkodrës.
Këto shpenzime shkojnë më tepër për personelin, sigurinë dhe mirëmbajtjen e godinave.
“Universiteti Luigj Gurakuqi [Shkodër] alokon 71.8% të shpenzimeve të tij totale vjetore për ‘shpenzimet e personelit‘, një përqindje që mund të konsiderohet e lartë dhe mban rekord për shpenzimet për karburant, ku në një vit ka shpenzuar 113,397 Euro,” thuhet në raportin e Qëndresës Qytetare.
Sipas raportit, Universiteti Politeknik ka kryer shpenzime në vlerë 1,4 milion euro për mjete dhe pajisje teknike, “ku peshën kryesore e zënë investimet në modernizimin e laboratorit të makinave elektrike në vlerën 364 mijë euro, kontratë kjo e lidhur me LIGUS shpk”.
Mirëpo, ky laborator sipas raportit nuk aksesohet nga studentët.
“Shtatë universitete kanë shpenzuar 7.6 milionë Euro për rikonstruksionin e godinave të tyre, ku vetëm UAM [Durrës] për këtë zë ka shpenzuar 4 milionë Euro”, thekson raporti.
Sipas Rigels Xhemollarit, drejtues i Qëndresës Qytetare, një e veçantë e raportit është kostoja për çdo student në universitetet e rretheve që i përafrohet kostos së universitetit të Tiranës.
“Në qoftë se e zbërthejmë koston, na dalin që universitete si Korça, Gjirokastra apo Shkodra, te kenë përkatësisht koston e një studenti më të lartë se Tirana, i cili ka edhe një cilësi më të lartë se këto dhe ofron më shumë cilësi akademike se këto,” thekson Xhemollari.
Nga raporti rezulton se Universiteti i Shkodrës shpenzon 1800 euro për student. Pas tij vjen Universiteti i Mjekësisë në Tiranë, me 1600 euro shpenzime për student, ndjekur nga Universiteti i Tiranës me 1450, Universiteti Politeknik 1240 dhe i Elbasanit me 1,045.
“Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës është universiteti me shpenzimet më të ulëta për studentë, përkatësisht vetëm 800 Euro/student,” thekson raporti.
Sipas Xhemollarit, kjo kosto vjen për shkak të reduktimit të numrit të studentëve. Ai thekson se 10 nga 12 rrogat e pedagogëve paguhen nga buxheti i shtetit.
“Nëse e zbërthejmë atë 2145 euroshin që paguan Korça për një student, 70% e atyre parave shkojnë vetëm për rroga. Pra, këto universitete tashmë janë kthyer në mekanizma për të paguar pagat e profesorëve të mbetur, këto nuk kanë më potencial që të zhvillojnë laboratorët, të rrisin kapacitetet e universiteteve”,-argumenton Xhemollari.
Nga të gjitha këto shpenzime, sipas raportit shpenzimet për studime dhe kërkime shkencore zënë vetëm 0.17% të shpenzimeve totale të universiteteve të analizuara.
“Universiteti Politeknik dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës kryesojnë me 35,605 Euro dhe 26,450 euro,” thekson raporti.
Mungesa e transparencës nga ana e universiteteve, kryesisht nga Universiteti i Tiranës është një tjetër mangësi e nxjerrë në pah nga raporti.
“Qëndresa Qytetare u rekomandon Universiteteve publike të përditësojnë dhe personalizojnë programet e transparencës, duke respektuar ligjin për të drejtën e informimit, dhe të sigurojnë vendimmarrje financiare të hapur”, thekson raporti.