Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka dërguar Kuvendit një shkresë, ku i sqaron se buxheti i shtetit për vitin 2015 ka pësuar një dëm ekonomik rreth 920 milionë euro ose 125.763.051 mijë lekë. Sipas raportit, dëmi ka si shkak parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera. Madje treguesi i mesatares së dëmit ekonomik në raport me buxhetin e shtetit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2014, thuajse është dyfishuar. Buletini i katërt statistikor i vitit 2015 përmbledh rezultatet e të gjitha auditimeve të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë këtij viti. Në këtë buletin përfshihen dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara, masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, si edhe kallëzimet penale të përcjella në Prokurori, për auditimet e përfunduara. Nga auditimet e ushtruara gjatë kësaj periudhe janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 919.91 milionë euro), si dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 35,312,076 mijë lekësh (ose 257.7 milionë euro). Për parregullsitë dhe shkeljet financiare me dëm ekonomik në të ardhura dhe në shpenzimet e kryera, të pasqyruara në raportet e auditimit të evaduar gjatë kësaj periudhe, në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 917.9 2 milionë euro), KLSH ka rekomanduar shpërblimin e dëmit të shkaktuar në shumën 58,703,079 mijë lekë (ose 428.4 milionë euro). Nga verifikimi i zbatimit të këtij rekomandimi nga subjektet e audituara janë pranuar dhe kanë nisur procedurat ligjore për kërkimin e shpërblimit të dëmit në vlerën 37,743,113 mijë lekë (ose 275.4 milionë euro) dhe është duke u konsideruar sipas afateve ligjore për t’u zbatuar shpërblimi i dëmit në vlerën 19,780,820 mijë lekë (ose 144.3 milionë euro). Përsa i përket diferencës së dëmit ekonomik në vlerën 67,060,000 mijë lekë, shkaktuar nga Marrëveshja e Zgjidhjes me Mirëkuptim (“Settlement Agreement ose “Marrëveshja e Mirëkuptimit”) midis shtetit shqiptar dhe shoqërisë “CEZ” a.s. Çeki, KLSH i ka rekomanduar Kuvendit të Shqipërisë “ngritjen e një komisioni ad hoc të pavarur, me ekspertë teknikë dhe ekonomikë, të cilët do të vlerësonin realisht dhe me saktësi dëmin nga aktiviteti nën administrimin e CEZ a.s., si dhe do të përcaktonin mundësinë më të mirë për një rimëkëmbje të Operatorit të Shpërndarjes mbi baza të monitorimit të kujdesshëm të të gjithë treguesve për periudhën e tanishme, duke përcaktuar në çdo rast përgjegjësitë individuale dhe institucionale për të gjithë aktorët që lejuan këtë situatë me të cilën financave publike u shtohet një dëm me efekte në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë. Të kërkohet një disiplinë e fortë financiare dhe një kontroll i vazhdueshëm nga Kuvendi, për çdo investim dhe vendimmarrje strategjike lidhur me Operatorin e Shpërndarjes, për të mundësuar me hapa konkrete përmirësimin e gjendjes së verifikuar”. Për periudhën janar-dhjetor 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga 155 auditime të planifikuara për auditim, ka ushtruar dhe ka vijuar me përgatitjen e materialeve për 174 auditime, nga të cilat: 158 janë të përfunduar e të evaduar, ku: 120 janë auditime të përputhshmërisë (ligjshmëri e rregullshmëri financiare), 12 janë auditime financiare, 2 janë auditime IT, 12 janë auditime tematike, 12 janë auditime performance, 5 janë të përfunduar si proces auditimi në subjekt, por të paevaduar; 11 janë në proces auditimi. Auditimet në ministritë e institucionet qendrore dhe auditimet në institucionet e administratës së qeverisjes vendore e njësi të tjera në nivel vendor, zënë përqindjen më të lartë konkretisht: Auditimet në ministritë dhe institucionet qendrore zënë 16% të totalit të auditimeve; auditimet në institucionet e administratës së qeverisjes vendore e njësi të tjera në nivel vendor zënë 29% të totalit të auditimeve; auditimet në drejtoritë e degët e tatimeve e doganave zënë 8%; në institucionet financiare dhe në shoqëritë me kapital të përbashkët shtetëror 9%; në njësitë dhe projektet me financime të huaja 5%; në subjektet të mbrojtjes së mjedisit 2% dhe së fundi auditimet e performancës në institucionet qendrore dhe vendore zënë 31% të totalit të auditimeve. Përveç auditimeve të mësipërme, gjatë kësaj periudhe, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka trajtuar edhe 382 letra dhe ankesa, për probleme të ndryshme, nga të cilat 130 rezultuan jashtë kompetencave dhe juridiksionit të institucionit. Nga 252 kërkesa dhe ankesa në kompetencë të KLSH, 143 prej tyre janë verifikuar dhe u është dhënë përgjigjja përkatëse, ndërsa 109 janë në procesin e verifikimit.
Disa nga shifrat e zhvatjes së parave publike
– Në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore në shumën 100,484,212 mijë lekë ose 733.4 milionë euro;
– Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara me shumën 257.7 milionë euro;
– Në fushën e prokurimeve dëmi në vlerën 19 milionë euro;
– Në fushën e shpenzimeve operative, në shumën e përgjithshme prej 533,423 eurosh;
– Në fushën e urbanistikës 462,204 euro;
– Në fushën e shpërblimeve, në shumën e përgjithshme prej 2,019,861 eurosh;
– Në fushën e sistemit të pagave në shumën 346,810 euro.
123 milionë euro vjedhje nga tatimet e doganat
(Shkeljet me dëm ekonomik tek tatim taksat 92 milionë euro)
– Ministria e Energjisë dhe Industrisë (koncesionet hidrokarburet), AKBN, në vlerën totale 11,503,500 mijë lekë, nga të cilat 316,000 mijë lekë, shmangie nga skema e TVSH, duke konsideruar në mënyrë të parregullt e të paargumentuar punime dhe shërbime të nënkontraktorëve si operacione hidrokarbure dhe 11,187,500 mijë lekë evazion fiskal nga mosdeklarimi i prodhimit të shtuar të naftës bruto pas përdorimit të holluesit (diesel 1 000 ppm) në shtresë.
– Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Barnave, Tiranë, në vlerën totale 72,103 mijë lekë, është vlera e përfituar në mënyrë të padrejtë si rimbursim nga dy kompani farmaceutike, si pasojë e diferencës midis çmimit/njësi të referencës nga lista e çmimeve për barnat e rimbursueshme dhe çmimit/njësi që duhej të tregtohej në fakt një medikament i caktuar.
(Në sektorin e doganave vlera e dëmit 31 milionë euro)
– Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe degët doganore, Durrës, Fier, Vlorë, Kakavijë, Qafë-Thanë e Bllatë (renta minerare), në vlerën totale prej 3,337,003 mijë lekësh, si detyrime doganore të papaguara, nga mosllogaritja dhe mosarkëtimi i rentës minerare për mineralet e eksportuara.
– Degët e doganave Lezhë dhe Shkodër, në vlerat respektive 13,130 mijë lekë dhe 24,165 mijë lekë, si detyrime doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve të ndryshëm dhe si detyrime e penalitete të pavendosura ndaj subjekteve që nuk kanë paguar TVSH.
– Dega e Doganës Tiranë, në vlerën 130,438 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes dhe mosarkëtim të detyrimeve doganore.
– Dega e Doganës Durrës, në vlerën 143 075 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes dhe mosarkëtim të detyrimeve doganore.
– Drejtoria e Përgjithshme e Doganave Tiranë, në vlerën 152,405 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjs së detyrimeve doganore dhe nga shkeljet e parregullta.
– Dega e Doganës Korçë, në vlerën 274,321 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes së vendosjes së penaliteteve dhe detyrimeve tatimore.
– Dega e Doganës Kapshticë, në vlerën 125,349 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes së vendosjes e penaliteteve dhe detyrimeve tatimore.