Rashica i lumtur!

Shumë i kënaqur u shfaq përpara mikrofonit të Supersport trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, në përfundim të sfidës. Ky i fundit e cilësoi si një rezultat shumë pozitiv barazimin 1-1, duke shtuar se Kosova do të ketë një të ardhme të madhe përpara. I kënaqur për golin historik edhe Valon Berisha, ndërkohë që Milot Rashica beson se, Kosova i ka të gjitha mundësitë për të grumbulluar sa më shumë pikë në grupin I kualifikues dhe pse jo të tentojë edhe kualifikimin në Botërorin e Rusisë.
Nisi me një barazimin 1-1 ndaj Finlandës aventura historike e Kosovës në grupin I kualifikues të Botërorit Rusi 2018. Një ekip sulmues, ai i propozuar nga Albert Bunjaki në debutimin historik të Kosovës në eliminatoret e një kampionati Botëror. Me skemën 4-1-4-1, Rashica dhe Bernard Berisha nga krahët e mesfushës mbështesnin sulmuesin e vetëm Albert Bunjaku. Menjëherë në sulm Kosova. Në minutën e 6-të, Bernard Berishës, iu paraqit një penallti në lëvizje pas një inkursioni shumë të bukur personal të Rashicës, por ish-mesfushori i Skënderbeut gaboi tërësisht në goditje. Vetëm 3 minuta më pas, Kosova ishte shumë pranë golit të parë historik në një fushatë eliminatore, por fati nuk ishte me përfaqësuesen më të re të Europës.
Leart Paqarada, pasi shmangu një mbrojtës lëshoi një goditje spektakolare nga një pozicion priret në limitet e zonës, duke u ndalur vetëm nga traversa. Në momentin më të mirë u shfaq Finlanda. Në të 17-ën vendasit ishin shumë pranë golit. Gabim i pafalshëm i Rrahmanit, i cili i dha mundësinë Eremenkos të dilte i vetëm përballë Ujkanit, por ky i fundit si një kapiten i vërtetë bëri një ndërhyrje shpëtimtare, duke evituar golin, që gjithsesi erdhi vetëm pak sekonda më vonë. Pikërisht në ekzekutimin e goditjes së këndit qëndërmbrojtësi Araajuri përfitoi nga një tjetër vendosje jo e mirë e mbrojtësve të Kosovës, duke ndëshkuar këtë herë Ujkanin.
1-0 për Finlandën, atëherë kur askush se priste. Skuadra e Bunjakit dominoi lojën gjatë minutave në vazhdim, duke patur gjithmonë nën kontroll topin, edhe pse rastet e pastra për shënim munguan. Kosova e rriti presionin drejt portës së Hradecky-it, në fundin e pjesës së parë. Në të 37-ën, Bernard Berisha, depërtoi në mënyrë të shkëlqyer në të majtë të sulmit, duke shërbyer më pas për Albert Bunjakun, që humbi një tjetër mundësi të mirë. Në të 44-ën, ishte mbrojtësi Lam, shpëtimtari i Finlandës me këtë të fundit që devijoi në këndore një tentativë të Valon Berishës. Megjithatë loja, dëshira, mundi dhe grinta e Kosovës u shpërblye në minutën e 59-të, kur gjyqtari sllovak Kurziliak akordoi penallti për skuadrën e Bunjakit për një faull në zonë të Lam ndaj Bernard Berishës.
Nga 11 metra distancë një tjetër Berishë pikërisht lojtari i Red Bull Salzburgut, Valon Berisha, e dërgoi topin në trekëndësh për një gol me vlerë historike. 3 minuta më pas, spektakolar Përdedaj me një goditje fluturimthi nga distanca që mori kundërpërgjigjen fantastike të Hradecky-it. Kosova ishte shumë kërkuese edhe gjatë minutave në vazhdim, por pa gjetur dot golin.

Exit mobile version