Rashica në histori të Werder Bremenit, pas golit ndaj Dortmundit

Milot Rashica është futur në librat e historisë së klubit gjerman, Werder Bremen, falë golit që e shënoi të martën kundër Borussia Dortmundit në Kupën e Gjermanisë.

Anësori i Kombëtares së Kosovës, Rashica është bërë futbollisti i parë në histori të Bremenit që i shënon gjashtë gola radhazi në Kupën e Gjermanisë.

23-vjeçari shënoi një gol të mrekullueshëm duke e frymëzuar Bremenin ta mundë 3:2 Dortmundin, dhe ta sigurojë një vend në çerekfinale të kësaj gare.

Ky ishte goli i tij i tretë në po kaq ndeshje në edicionin e sivjetmë të kupës, pasi paraprakisht kishte realizuar ndaj SV Atlas në rundin e parë dhe kundër FC Heidenheim në rundin e dytë, para se të realizonte ndaj Dortmundit në rundin e tretë.

Rashica kishte shënuar edhe në tri ndeshjet e fundit të Bremenit në edicionin e kaluar të kupës, kundër Dortmundit në rundin e tretë, kundër Schalke 04 në çerekfinale dhe ndaj Bayern Munich në gjysmëfinale, ku edhe u eliminua Bremeni.

Kosovari i ka 10 gola dhe 4 asiste në 19 paraqitje në Bundesligë dhe në kupë për Bremenin deri tani këtë sezon, ndërsa goli i sotëm ndaj Dortmundit ishte i parë në vitin 2020.

Artikulli paraprakPompeo: Partia Komuniste e Kinës, kercënimi kryesor i kohës tonë
Artikulli tjetër35 ditët e zymta të Barcelonës! Komentet e Messit thellojnë krizën