Milot Rashica vazhdon të mbetet në fokusin e Napolit në këtë merkato verore. 19-vjeçari i Viteshes në Eredivisie është vëzhguar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e klubit italian dhe mund të transferohet në Serinë A pa nisur sezoni i ri. Në fakt ende nuk ka një ofertë konkrete për futbollistin e kombëtares shqiptare, pasi një transferim i mundshëm i tij te Napoli lidhet me lëvizje të tjera në skuadër. Më konkretisht, Rashica mund të mbërrijë te të kaltrit vetëm nëse largohet Callejon, i cili luan në krahun e djathtë.
Cilësitë teknike të Rashicës janë të profilit të lojtarit që kërkon Napoli, për këtë arsye ai mbetet në vëmendjen e drejtuesve napolitanë në rast të largimit të spanjollit. Nëse transferohet në Serinë A, te Napoli, Rashica do të ketë mbështetjen e Elseid Hysajt, për t’u përshtatur sa më shpejt te kjo skuadër. Të dy lojtarët luajnë në linjën e djathtë, Hysaj në prapavijë, ndërsa Rashica në mesfushë, por me detyra të theksuara sulmuese. Rashica ishte zbulim i sezonit të kaluar në Eredivisie, aq sa për të janë interesuar edhe skuadrat më të mëdha të kampionatit holandez, si Ajaksi i Amsterdamit. Gjithsesi, Vitese do ta lejojë largimin e futbollistit vetëm për një ofertë të parezistueshme.