Dita e hënë do të jetë e veçantë për Real Madrid, pasi atëherë do të nisë epika e re në klubin spanjoll, Karlo Ançeloti i jep lamtumirën këtë fundjavë “Los blancos” në “Santiago Bernabeu” dhe nga e hëna vendin e tij do e marrë Çabi Alonso.
Normalisht, prezantimet do të ishin bërë në fillimin e korrikut apo në qershor. Por meqë Reali kërkon të përgatitet për Botërorin e Klubeve, ka vendosur të mos humbë kohë dhe që të hënën, do të prezantojë Çabi Alonson si teknikun e ri të skuadrës. Ai do të prezantohet në qendrën sportive të klubit, ku do të firmosë kontratën trevjeçare që e lidh me “los blancos”, për të filluar menjëherë punën për përgatitjen e turneut në HSBA.
Si për ironi të fatit, disa orë më vonë, po të hënën, në Brazil do të bëhet prezantimi i Karlo Ançelotit si trajner i ri i i Brazilit. Italiani do të firmosë një kontratë që zgjat vetëm 14 muaj, më saktësisht deri në fundin e Botërorit 2026.