Rasti i 17-vjeçares në Gjirokastër, psikiatri Neli Demi: Ngjarja mund të ishte parandaluar

lg.php?bannerid=47&campaignid=16&zoneid=30&loc=https%3A%2F%2Feuronews

Sipas burimeve, e reja kishte shkruar një letër në anglisht ku shprehte dhimbjen dhe ndjenjën e izolimit.

Korrespondenti i Euronews Albania raporton se ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin lokal, ndërsa Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur hetimet.

Autoritetet kanë hapur një procedim penal për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, ndërsa janë marrë në pyetje rreth 20 persona, përfshirë mësues dhe nxënës të gjimnazit “Siri Shapllo”.

Si provë kyçe, prokuroria po shqyrton një letër të gjetur në celularin e të ndjerës, ndërsa dyshohet se ajo mund të ketë mbajtur edhe një ditar. Në letrën e gjetur shkruhet:

“O Zot, pse po vuaj kështu? Unë jam kjo që jam dhe dua që miqtë dhe shokët të më respektojnë. Por ata tallen me mua. Ndihem kaq e vetmuar dhe e mbytur në vetminë time. Nuk më vjen turp për veshjen time, kjo është mundësia e prindërve të mi, të cilët kujdesen për mua me dashuri. Por pse duhet të ndihem kaq e veçuar? Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ia hap zemrën? Tek askush nuk kam besim, madje as tek psikologia. Pse duhet të vuaj? A është kjo jeta?”

Prokuroria e Gjirokastrës ka reaguar për emisionin “People”, duke deklaruar se hetimet vijojnë, por nuk mund të jepen detaje për shkak të sekretit hetimor.

Ndërkohë, i ftuar në studion e “People”, psikiatri Neli Demi theksoi rëndësinë e ndërhyrjes në raste të tilla për të parandaluar tragjedi të ngjashme.

“Absolutisht, mund të parandalohet. Në faza të ndryshme të problematikës ka mundësi për ndërhyrje. Nuk dihet saktësisht sa vetëvrasje mund të parandalohen, por është e qartë që vendimi për një akt të tillë vjen si rezultat i një procesi të gjatë emocional. Vetëvrasja mund të jetë një akt impulsiv, por rrënjët e saj shtrihen shumë më herët”, tha psikiatri Demi.

Ngjarja ka hapur një debat të gjerë mbi bullizimin dhe mbështetjen psikologjike të të rinjve, duke rikthyer vëmendjen tek nevoja për më shumë ndërgjegjësim dhe masa parandaluese në shkolla.

Artikulli paraprak“Koalicioni i Demokratëve Euroatlantikë është grupimi ku unë kam gjetur njerëz qëndrestarë e punëtorë të ndershëm”/ Migena Shyti Kapllani: Si vajzë e grua jam përpjekur t’i jap fytyrën që meriton profesionit të mësuesit
Artikulli tjetërKandidon për Demokratët Euroatlantikë, Naim Meta: T’i rikthejmë besimin dhe shpresën shqiptarëve