Emri i Kilian Mbape-së është i destinuar që të qëndrojë për një kohë të gjatë në faqet e para të gazetave dhe në edicionet kryesore të lajmeve. Sulmuesi francez i Monakos është sensacioni i vërtetë i këtij sezoni të Ligës së Kampioneve. Falë pesë golave të tij, monegaskët po përgatiten që të sfidojnë Juventusin në gjysmëfinalen e një kompeticioni, ku vetëm Raul Gonzales Blanko ka bërë më mirë se Kilian Mbape.
Francezi ishte 18 vjeç e 120 ditësh kur shënoi golin e pestë në Ligën e Kampioneve (në ndeshjen kundër Dortmundit). Falë golave që u shënoi “grerëzave” dhe “qytetarëve” të Mançesterit, francezi i ka rezervuar vetes një vend në historinë e kompeticionit.
Askush më parë nuk kishte mundur që në moshë kaq të re të shënonte minimalisht nga një gol në katër takime radhazi të fazës me eliminim direkt. Pesë gola, edhe pse 18-vjeçar, është një sipërmarrje që i ka dalë vetëm Raul Gonzalesit, i cili përpara se të mbushte 19 vjeç shënoi me fanellën e Realit plot 6 gola (tre në takimin e tretë në Champions dhe tre të tjerë në takimet me eliminim direkt).
Krahasuar me Mbape, Mesi dhe Kristiano Ronaldo kanë arritur pak, për të mos thënë asgjë. Argjentinasi, kur ishte 18 vjeç e 120 ditësh (22.10.05), regjistronte katër paraqitje në Champions, por asnjë gol të shënuar. Goli i tij i parë erdhi më 2 nëntor të 2005-ës kundër Panathinaikosit në “Camp Nou”.
Kristiano Ronaldo, kur ishte 18 vjeç e 120 ditësh (05.06.03), përfaqësonte Portugalinë në Kampionatin Europian të moshave (U-21). Ai kishte regjistruar një paraqitje në Champions (si zëvendësues) dhe dy në Kupën UEFA me Sportingun. Goli i tij i parë në Ligën e Kampioneve erdhi në prill të 2007-ës.
Legjenda e Realit të Madridit, kur ishte 18 vjeç e 120 ditësh (25.10.95), kishte në CV-në e vet tri paraqitje në Champions, ku numëronte tri gola të shënuar (kundër Ferencvaroshit më 18 tetor të 1995).