Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord sot për të adresuar faktorët “që cënojnë” marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe kanë nisur punën drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë, ka thënë të martën Departamenti amerikan i Shtetit, duke e bërë të qartë se përpjekjet janë ende në fazat e para.
“Një thirrje telefonike, e pasur me një takim, nuk janë të mjaftueshme për paqe të qëndrueshme”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, pas takimit që është zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite dhe ka zgjatur mbi katër orë.
Mes tjerash, ajo ka thënë palët do të angazhojnë ekipe të nivelit të lartë për dhënie fund të luftës, sa më shpejt që është e mundur, “në një mënyrë që është e qëndrueshme dhe e pranueshme për të dyja palët”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, që ka udhëhequr delegacionin, ka thënë se palët janë pajtuar edhe për të rivendosur stafin e ambasadave dhe që përveç diskutimeve për paqe në Ukrainë, ekipet negociatore të promovojnë edhe bashkëpunimin ekonomik.
Zëdhënësja Bruce tha përmes një deklarate se: “Shtetet e Bashkuara duan paqe dhe janë duke shfrytëzuar fuqinë e tyre në botë për t’i afruar shtetet së bashku. Presidenti Trump është lideri i vetëm në botë që mund të bindë Ukrainën dhe Rusinë që të arrijnë pajtueshmëri”.
Sipas DASH-it, palët janë pajtuar për të vazhduar bashkëpunimin në çështje të interesit të përbashkët gjeopolitik, për mundësi ekonomike dhe mundësi për investime, që dalin nga përfundimi i luftës së Moskës në Ukrainë.