Razvan Rat: Shqipëria, skuadër e vështirë

Rumunët nuk e konsiderojnë një ndeshje të lehtë sfidën me Shqipërinë dhe këtë e konfirmoi edhe mbrojtësi i krahut të majtë i tyre, Razvan Rat. “Ndeshja me Shqipërinë do të jetë shumë e vështirë. Ata rezistuan deri në fundin e kohës së rregullt ndaj Francës. Ka shumë presion mbi ne, mbi të gjitha që askush nuk është i kënaqur me atë që na rezervoi shorti. Nuk do të jetë e lehtë, pasi është e vështirë të fitosh, sidomos në finalet e një kompeticioni”, thotë ai.
Rat u zëvendësua në ndeshjen me Zvicrën si pasojë e një dëmtimi shpreson të jetë gati për përballjen e fundit në grup me Shqipërinë. Ish-kapiteni i rumunëve e pranon se përballë helvetëve patën dhe fatin me vete, pasi edhe mund ta kishin humbur ndeshjen. Rat shpjegon se gjatë ndeshjes pësoi një dëmtim në këmbën e majtë, ku pak kohë më parë është operuar ndaj dhe preferoi të dilte jashtë fushës për t’i paraprirë ndonjë përkeqësimi të situatës. Ndeshja me Shqipërinë është vendimtare edhe për rumunët sa u takon mundësive për të kaluar grupin.

Artikulli paraprakShqipëria do fitore me Rumaninë
Artikulli tjetërRumania, 1.5 milionë euro shpërblim për kualifikimin