Sali BERISHA
27-vjetori i botimit të “Rilindjes Demokratike”, gazetës së parë opozitare në Shqipëri!
Si sot 27 vite më parë një grup intelektualësh, gazetarësh, studentësh botuan numrin e parë të gazetës së parë opozitare “Rilindjes Demokratike”, si organ i Partisë Demokratike dhe mendimit opozitar shqiptar. Vendimi për botimin e saj ishte njëri nga vendimet më të para të Partisë Demokratike. Regjimi u përpoq, por pa sukses t’a pengonte botimin e saj.
Numrin e parë të saj shumë e shumë qytetarë e pritën me padurim me një natë të bardhë, pra zbardhën natën për të siguruar një kopje të saj, e cila hapej me një editorial të pavdekshëm të redaksisë “E para është fjala!”
Me shpejtësi të rrufeshme gazeta, si organ i të vërtetës aktuale dhe asaj të ndaluar dhe mohuar, pushtoi mendjet dhe zemrat e shqiptarëve. “Rilindja Demokratike” vjen në këtë përvjetor si organi i lirë i shtypit të shkruar, organ i të vërtetës.
Me këtë rast le të shprehim nderimin tonë më të madh për të gjithë ata intelektualë, publicistë, gazetarë, studentë, redaktorë, kryeredaktorë dhe drejtorë që themeluan gazetën e parë opozitare të vendit, që e drejtuan dhe shndërruan atë, që nga numri i parë e deri në numrin e sotëm, në zëdhënëse të të vërtetave të mëdha të shoqërisë shqiptare! Gëzuar!!