REAGIM I DEPUTETES SË PARTISË DEMOKRATIKE, ERALDA TASE BANO

Të dashur qytetarë,

Të nderuar demokratë,

Ndjej të nevojshme që për herë të fundit të sqaroj pozicionin tim politik në Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Në asnjë çast vota ime kundër zonjës Xhaçka nuk ka sesi të jetë pozicionim i imi në krahun e rithemelimit. Unë i përkas Partisë Demokratike zyrtare siç e quajnë disa, Partisë Demokratike të udhëhequr nga Lulzim Basha. Këtë zgjedhje e kam bërë që ditën e parë dhe sot jam më e bindur se kurrë për pozitën time.

Jam e detyruar të sqaroj këtë, pasi kam dhënë firmën timë kundër Olta Xhaçkës bashkë me deputetët e rithemelimit. Kjo ndodhi sepse në parim unë do të luftoj me çdo mjet një individ si ish ministrja e cila ka mbi supe akuza nga drejtësia, të cilat ja kam përmendur në parlament.

Përballja me të vërtetën e bëri zonjën Xhaçka ta kthente fjalën time në një vendeta personale ku më etiketoi si top lecke, kukull e kurdisur e sinonime të tjera të shemtuara të cilat më kanë shkelur rëndë në parim si njeri, si grua, si nënë dhe si politikane.

Unë jam e qartë në pozicionin tim sepse kam vendosur që në karrierën time politike, sado që ajo të zgjasë, të jem në krah të drejtësisë. Thënë kjo unë qëndroj krah të vetmit grupimi politik i cili ofron figura të papërlyera. Kjo nga ana tjetër më jep të drejtën të votoj kundër çdo figure të korruptuar, majtas e djathtas aq më tepër kur kjo figurë nuk ka guxim të kërkojë ndjesë për arrogacën dhe marrëzinë që ka treguar ndaj çdo shqiptari, duke i vendosur pseudonimin “ata nga mali”.

Qëndrimi im kundrejt zonjës Xhaçka tejkalon çdo lloj grupimi politik apo ndasie politike, kjo sepse demi që ajo i ka bërë shqiptarëve dhe Shqipërisë nuk ka të bëjë me pozicionim politik por ka të bëjë me të gjithë ne si qytetarë shqiptarë.

Exit mobile version