Reagim i PD-Demokratët Euroatlantikë: Shpërthimet e zjarreve në të gjithë territorin e Shqipërisë, pasqyrë e trishtë e dështimit të Qeverisë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve

PD-Demokratët Euroatlantikë kanë reaguar në lidhje me situatën e rënduar të zjarreve. Anëtari i Kryesisë, Myzafer Elezi, përmes një postimi në facebook shprehet se kjo është pasqyrë e trishtë e dështimit të Qeverisë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.

Elezi shprehet se 19 vatra zjarri mbeten ende aktive, ndërsa përpjekjet për t’i shuar ato janë të pamjaftueshme dhe shpesh të penguara nga mungesa e burimeve dhe planifikimit të duhur.

Ai më tej i bën thirrje Qeverisë të marrë masa të menjëhershme për të mbështetur forcat zjarrëfikëse me mjetet dhe burimet e nevojshme, si dhe të zhvillojë plane afatgjata për parandalimin dhe menaxhimin e krizave të tilla në të ardhmen.

 

Reagim i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë:

Ngjarjet e fundit të shpërthimeve të zjarreve në të gjithë territorin e Shqipërisë janë një pasqyrë e trishtë e dështimit të Qeverisë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve. Identifikimi i 28 vatrave zjarri brenda një dite është një tregues alarmues i paaftësisë së institucioneve për të kontrolluar dhe menaxhuar situatën në mënyrë efektive.

Ndërkohë që 19 vatra zjarri mbeten ende aktive, përpjekjet për t’i shuar ato janë të pamjaftueshme dhe shpesh të penguara nga mungesa e burimeve dhe planifikimit të duhur.
Në fshatrat e Finiqit, Selenicës, Pustecit, Tropojës, Matit, Dibrës, Bulqizës dhe shumë të tjerë, flakët po kërcënojnë jo vetëm mjedisin dhe pasurinë tonë natyrore, por edhe jetën dhe pronën e qytetarëve. Ndërkohë, forcat operacionale dhe zjarrfikësit po përballen me sfida të mëdha në terrene të vështira, duke luftuar me të gjitha forcat e tyre për të mbajtur situatën nën kontroll.

Situata kritike e zjarreve në Shqipëri dëshmojnë për neglizhencën e Qeverisë dhe mungesën e koordinimit të duhur për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit tonë.
Qeveria ka treguar një mungesë të theksuar të vizionit dhe përkushtimit për të parandaluar dhe menaxhuar këto katastrofa natyrore. Mungesa e mjeteve adekuate, trajnimet e pamjaftueshme dhe mbështetja e papërshtatshme për forcat zjarrfikëse janë tregues të një sistemi që nuk i jep përparësi sigurisë publike.

Megjithatë, në mes të këtij dështimi institucional, forcat zjarrfikëse po tregojnë përkushtim. Pavarësisht rreziqeve dhe sfidave, ata po luftojnë për të ndaluar një shkatërrim të mëtejshëm. Ne inkurajojmë çdo zjarrëfikës, çdo vullnetar dhe çdo punonjës që është në vijën e parë të kësaj beteje të ashpër.

Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë i bën thirrje Qeverisë të marrë masa të menjëhershme për të mbështetur forcat zjarrëfikëse me mjetet dhe burimet e nevojshme, si dhe të zhvillojë plane afatgjata për parandalimin dhe menaxhimin e krizave të tilla në të ardhmen.

Siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e pasurive tona natyrore duhet të jenë prioriteti numër një i çdo qeverie të përgjegjshme. Qytetarët meritojnë mbështetje dhe zgjidhje.
Shqipëria meriton më shumë.

Artikulli paraprakInkursioni i Ukrainës, Rusia detyrohet të kryejë evakuime edhe në Belgorod
Artikulli tjetërPamjet/ U dhunua brutalisht nga 29-vjeçari, publikohen momentet e fundit të jetës së Egli Progës që u la pa ndjenja në rrugë