Reagime në Kosovë pas padisë ndaj Haradinajt: Rama sjellje prej një diktatori

Të mërkurën, kryeministri Rama ushtroi padi me pretendimet se kryeministri në largim Ramush Haradinaj ka shpifur ndaj tij, duke kërkuar edhe kompensim të dëmit të shkaktuar. Në padinë të bërë publike nga emisioni “Betimi për Drejtësi” thuhet se deklaratat janë bërë në kuadër të debateve rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e që, në parim, siç thuhet në padi, do të duhet të rezultojë në një marrëveshje reciprokisht të detyrueshme për të dyja palët dhe njohje reciproke në mes këtyre dy shteteve.

Publicisti dhe shkrimtari, Milazim Krasniqi thotë për Zërin e Amerikës se padia është për keqardhje dhe është në vazhdën e përshkallëzimit të moskuptimeve si dhe hapje e një teme të panevojshme.

m

Milazim Krasniqi

“Tema e tillë krijon në radhë të parë vet dëshpërim te shqiptarët por edhe çdo konflikt ndërmjet Kosovës e Shqipërisë rrezikon dobësimin frymës Atlantike dhe evropiane dhe mund të inkurajoj qarqet pan-sllaviste ruse që të penetrojnë më shumë në rajon, në këto hapësira prandaj po them se e shoh si një arrogancë, si një egoizëm pothuajse pervers i cili nuk i ka hije një kryeministri të shtetit shqiptar”,tha ai.

Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, thotë se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë të dyanëshme, njëra që lidhet me bashkëpunimin e qytetarëve dhe tjera politike dhe institucionale që aktualisht po ndikon në uljen e ndikimit shqiptar në rajon.

“Me atë që dje pamë, padinë që e ushtroi kryeministri i Shqipërsië, Edi Rama kundër (Ramush) Haradinajt është kulmi i një hipokrizie politike. Diçka të tillë kurrë nuk kanë parë as vendet ballkanike në mes veti që të padisin kryeministrat, ani pse ka pasur kontekste vazhdimisht në mes tyre, e leje më që të dal me një padi për tradhti. Kjo është edhe ajo që në kohën kur dje u shënua masakra e Reçakut, një masakër që pastaj i parapriu ndërhyrjes të NATO-s, u shënua nga e gjithë bota, u shënua edhe nga aleatët, ndërkohë që Shqipëria jo vetëm që nuk e shënon por kryeministri i saj i bën padi kryeministrit në detyrë Haradinaj, i cili përkundër qeverisjes së tij e cila nuk mund të quhet e kënaqshme, megjithatë ka treguar një stabilitet së paku në disa kundërvënie të disa kërkesave të Serbisë”, tha ai.

Zoti Buxhovi thotë se Tirana zyrtare kohëve të fundit është afruar me Beogradin zyrtar duke anashkaluar problemet me të cilat përballet Kosova kundrejt Serbisë. Ai thotë se kjo sjellje e Tiranës zyrtare mund të ketë pasoja

j

Jusuf Buxhovi

“Megjithatë uroj që politika e Kosovës të mos sillet aq papërgjegjshëm siç po sillet ajo e Tiranës, por edhe ajo e Tiranës mund të thuhet se gjatë këtyre 10 apo 15 vjetëve të fundit krahas kësaj sjellje që mund të quhet edhe vandale që është pasqyruar dje me këtë padinë që i bëri zotit Haradinaj, ajo në të njëjtën kohë ka pasur edhe lëvizje të dëmshme përgjithësi për politikën shqiptare në Ballkan. Edhe ajo çka është më e rëndësishme për shembull te (Edi) Rama është sjellja prej një diktatori në raport me demokracinë atje. Ne e dimë që në dy vjetët e fundit se Shqipëria po përjeton një rilindje të një diktature të shteti një partiak, ky model do të thotë është ai që mund të jetë shumë i dëmshëm dhe të ndikoj që edhe autokratët e ardhshëm në Kosovë por edhe axhamitë tjerë me të cilët politika e Kosovës është me plot e për plot ta marrin si model atë të Shqipërisë dhe t’i trimëroj në një farë mënyre sjelljet e tilla. Prandaj në këtë aspekt mendoj se sjellja e papërgjegjshme e Tiranës është një akt anti-historik”,tha zoti Buxhovi.

Ndërsa, publicist Milazim Krasniqi thotë se padia e kryeministrit Edi Rama është rrjedhojë e përpjekjes për të mbuluar projektin e mini-shengenit ballkanik.

“Pra, padia është në këtë kuptim dhe ai e ka kuptuar sipas të gjitha gjasave që Kosova nuk mund të tërhiqet për kapistalli ashtu siç ai e ka menduar në marrëveshjen me (Aleksandër) Vuçiçin dhe tash përpiqet ta zhvendosë temën te një kontest gjyqësor, por mbetet shija e hidhur e një aventurizmi që ka provokuar Edi Rama me këtë lojë me Vuçiçin dhe jam i bindur që asnjë qeveri e Kosovës nuk do të jetë e gatshme që të pranojë këtë skemë e cila thash që e faktorizon Serbinë që është vrima e zezë gjeo-startegjike në zemër të atlantizmit”, tha zoti Krasniqi.

Marrëdhëniet ndërmjet dy kryeministrave u përkeqësuan përgjatë vitit 2019 dhe se polemikat në distancë ndërmjet tyre janë përsëritur disa here.

Artikulli paraprakRaporti i OKB për shpopullimin, Orjola Pampuri: Sirenë alarmi për shqiptarët!
Artikulli tjetërPublikohet dokumenti: Edhe Drejtori i Kërkimit Shkencor në Akademinë e Sigurisë, ish-oficer i Sigurimit