Demokratë dhe ish-deputetë reaguan dje ndaj rezultateve zgjedhore në mënyrë të matur dhe duke kërkuar pritjen e daljes së rezultateve përfundimtare.
Ish-deputetët që tashmë s’do jenë më në Parlament Albina Deda dhe Mimoza Hajdarmataj bëjnë thirrje për qetësi dhe pritje të rezultatit deri në fund, teksa nuk janë dakort që Basha të mund të largohet nga posti drejtues i PD-së.
Ndërsa nga ana e tij Gent Strazimiri së bashku me Arben Ristanin kanë pranuar humbjen si dhe kanë theksuar se tashmë është koha që PD të ringrihet.
Arben Ristani
Falenderoj me mirënjohje të thellë të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike për katër vitet e një opozite të vështirë, tre muaj qëndresë në çadër dhe një muaj fushatë të përkushtuar. Po ashtu, ju bëj thirrje numëruesve dhe komisionerëve të PD, që të numërojnë çdo votë të opozitës, që vullneti i shqiptarëve të pasqyrohet drejtësisht. Me përgjegjësinë e plotë si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Shqipërisë shpreh keqardhjen për rezultatin e zgjedhjeve dhe bindjen se, misioni i Partisë Demokratike vazhdon.
Gent Strazimiri
Mirënjohje për secilin nga ju vëllezër e motra demokrate, që punuat, rezistuat e që ende qëndroni në mbrojtje të votës dhe idealeve tona brenda dhe jashtë qendrave të numërimit!
Mirënjohës Zotit, sot më shumë se çdo herë tjetër, që e shkroi të jem njëri nga ju!
Atdheu sot ka nevojë më shumë se kurrë për forcën e zemrës dhe dashurinë tonë!
kokën lart dhe vetëm përpara!!!
Mimoza Hajdarmartaj
Të jesh demokrat do të thotë të kesh kurajo, të rezistosh dhe mbi të gjitha të besosh se liria funksionon.
Kjo është beteja më e vështirë, ku shumëkush po gjykon shpejt e po jep verdikte nga më absurdet.
Por idealet e një Shqipërie demokratike, të zhvilluar dhe si gjithë Europa do t’i përmbushë vetëm PD.
Shpëtimi do të vijë nga idealistët që qëndrojnë dhe jo pragmatistët që gjithmonë kalkulojnë karrierat e radhës, në rilindjen e re të një shumice që kërkon të groposë shpresat e shqiptarëve.
Prisni deri sa të numërohet vota e fundit…
Albina Deda: Bashkëpërgjegjësia-Logjika e demokracisë dhe tipar i fisnikërisë!
Rezultatet dhe projeksionet e deritanishme e nxjerrin PD-në në një situatë të papritur, aspak të merituar që si mua dhe çdo demokrat e hidhërojnë deri në shok.
Përpara se të jap opinionin tim të sinqertë ju bëj thirrje demokratëve ta përjetojnë me qytetari e fisnikëri këtë situatë të rëndë.
Ngelem po aq shumë e tronditur nga entuziazmi i shumë eksponentëve të PD-së e analistë të cilët pa menduar pasojat apelojnë për dorëheqje të menjëhershme të kryetarit Basha.
Së pari, zoti Basha ka një mandat politik të papërfunduar si kryetar i PD-së, i pari i zgjedhur me një anëtar një votë.
Janë po ata njerëz që nuk e votuan 4 vite më parë që nuk lanë rast pa e kontestuar ani pse ky kontekst ka ndikuar fuqishëm në negativitetin e këtij rezultati.
Ata tani kërkojnë medoemos këtë situatë kritike që në mjegull e hidhërim të mund të realizojnë ambiciet e tyre më shumë meskine e egoiste sesa efektive për riorganizimin e PD-së.
-Së dyti, askush nuk thotë sot se jo partia, por Shqipëria ishte kauza-Basha.
Dhe kësaj kauze ndonëse më tepër kosto partiake, Basha i shërbeu.
Si kujtoni ju se krimi e oligarkia, të korruptuarit e narko-trafiku nuk do të reagonin dhunshëm ndaj Bashës e PD-së?
Por Lulzim Basha në këtë sfidë nuk pati vetëm humbje.
Parlamenti i ardhshëm do të ketë shumë më pak kriminelë, ndoshta vetëm dy të cilët nuk do mund ta fillojnë mandatin e tyre.
Për herë të parë, pushteti pati frikë të instrumentalizojë administratën.
Natyrisht, kjo duket e vogël, por është premisa më e fortë drejt shtetit ligjor.
Nuk diskutohet se ka pasur lajthitje në zgjedhjen e ekipit elektoral, por gjithsecili e njeh situatën nga ku ne u futëm me emergjencë në zgjedhje.
Pa dashur të bëj një analizë të detajuar që për gjithsecilin është e domosdoshme, apeloj Kryetarin Basha që në këto kushte të mos e konsiderojë dorëheqjen.
Le t’i presim rezultatet me qetësi dhe reagimet t’i bëjmë me logjikë demokrati dhe fisnikëri, duke mos u fshehur pas gishtit në këtë bashkëfajësi.
Zoti Basha dhe ne, që ju bashkuam vizionit të tij nuk kemi pse kërkojmë ndjesë tek ishët që i entuziazmon humbja, por tek demokratët e vërtetë që kurrë nuk u tunduan, por na mbështetën me patetizëm.
Ata vetëm ata i kemi zhgënjyer e lënduar.
Ndoka: Zgjedhjet u blenë
Nard Ndoka, i cili endet në kufirin ndarës të deputetëve që hyjnë dhe kandidatëve që mbeten jashtë Parlamentit ka përshkruar ashpër zgjedhjet e fundit.
“Në këto zgjedhje, përveç shpirtit të demokratëve, çdo gjë tjetër është blerë!”, shkruan ai ndërkohë që në Shkodër janë numëruar kryesisht votat e periferisë, pra Pukës, Fushë Arrëzit dhe Malësisë së Madhe.
Mark Marku kritikon deklaratën e Mustafajt
Ish-deputeti demokrat Mark Marku kërkoi sot nga anëtarët e PD që të presin deri në përfundim të numërimit për të vijuar më pas debatin mes tyre në parti. Ai kritikoi kërkesën e Mustafajt, bërë sot në media ku kërkonte dorëheqjen e Bashës.
“Deklarata e Mustafajt është e përshpejtuar se duhet të presë rezultatin e zgjedhjeve pastaj të kërkojë dorëheqje. Anëtarët e partisë duhet të presin rezultatin, ai nuk është analist. Nuk mund të bëjë këtë deklaratë, pasi një figurë politike mund të presë dhe shpresojë deri në minutën e fundit se mund të përmbyset rezultati. Duhet të jetë i prirur nga interesi i partisë së vet. Dhe pastaj t’i kërkohen kreut të partisë të gjitha përgjegjësitë. Në momentin kur janë ministra dhe deputetë, partia është e mirë, në momentin kur nuk janë në poste dhe nëpër lista, atëherë kryetari është i keq”, tha Marku.
Vetë Mustafaj nga e njëjta studio deklaroi se ka pasur një bisedë telefonike me Bashën në lidhje me analizën e tij publikuar sot te Panorama dhe se Basha ishte i shqetësuar me reagime të tilla për shkak të demotivimit të numëruesve të PD.
Balliu: Ja si po manipulohen procesverbalet
Kandidati i katërt në listën e PD-së në Qarkun e Korçës, Klevis Balliu ka denoncuar për “BalkanWeb” dy raste sipas tij, të manipulimit të votave në Pogradec. Procesi i numërimit të votave në këtë qytet është ndërprerë, pasi sipas tyre janë hedhur gabim në sistem 2 procesverbale. “Është bllokuar numërimi i votave, pasi kemi dy raste, dje dhe sot, që vota të subjektit PD kalojnë online tek subjekte të tjera në ‘hije’. U kap ky fenomen, i cili po ndodh në të gjithë Shqipërinë! Sot u kapën 80 vota të PD të hedhura të PR. Dje, ishin 220 vota të hedhura tek Nr.7. Kjo mënyrë është bërë tani e përsëritur dhe ne e faktojmë. KZAZ dje dhe sot mbajti në mënyrë unanime procesverbal në lidhje me këtë fenomen të përsëritur nga subjekti PS”, ka denoncuar Klevis Balliu për “BalkanWeb”. Pezullimi i procesit të numërimit të votave në KZAZ-në e Pogradecit u konfirmua edhe nga kryetari i KZAZ.
183 milionë euro për zgjedhjet. Qeveria rriti me 17% shpenzimet në 5 muajt e parë
Shpenzimet publike në pesë muajt e parë të vitit u rritën me 17 për qind krahasuar me një vit më parë dhe pjesa dërrmuese e rritjes erdhi nga investimet publike. Të dhënat zyrtare të publikuar nga Ministria e Financave tregojnë se për periudhën Janar-Maj të këtij viti shpenzimet totale të buxhetit arritën në 170 miliardë lekë nga 145.5 miliardë që ishin për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Buxheti i shtetit edhe këtë vit është përdorur nga qeveria për qëllime elektorale. Të dhënat tregojnë se shpenzimet në vlerë u rritën me 24.6 miliardë lekë ose rreth 183 milionë euro dhe pjesa më e madhe e këtyre parave kanë shkuar për të financuar investime publike, një instrument i përdorur shpesh nga qeveritë për të ndikuar votën e qytetarëve. Sipas Ministrisë së Financave, shpenzimet për investime u rritën me 8 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Por veç shpenzimeve qendrore, investimet janë rritur edhe në një mënyrë më të kamufluar, përmes shpenzimeve që kryen pushteti vendor. Sipas Ministrisë së Financave, në periudhën Janar-Maj të këtij viti, shpenzimet për pushtetin vendor u rritën me 7.1 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe pjesa më e madhe e kësaj rritje ka ardhur nga shpenzimet për investime. Deri në fund të muajit majit qeveria ishte nën kontrollin e plotë të Edi Ramës.