Reagimi i administratës Trump për bisedimet me Korenë e Veriut

Administrata Trump po reagon ngadalë pas shprehjes së gatishmërisë nga ana e Koresë së Veriut për të zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara. “Ne do të shohim nëse mesazhi i Phenianit sot, se është i gatshëm të zhvillojë bisedime, përbën hapat e parë në rrugën drejt çnuklearizimit. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe bota duhet të vazhdojnë të bëjnë të qartë se programet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut janë një rrugë pa krye”, tha në një deklaratë të lëshuar për shtyp, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders. Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe bashkësia ndërkombëtare “pajtohen përgjithësisht se çnuclearizimi duhet të jetë rezultat i çdo dialogu me Korenë e Veriut. Fushata maksimale e presionit duhet të vazhdojë derisa Koreja e Veriut të çnuclearizohet. Siç tha Presidenti Trump, ekziston një rrugë e ndritur për Korenë e Veriut në rast se zgjedh çnuklearizimin”. Sanders, shoqëroi vajzën e Presidentit Donald Trump, Ivanka, në Korenë e Jugut, për ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike Dimërore në Piongçang.
Kreu i delegacionit të Koresë së Veriut në ceremoni ra dakord, në një takim me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in të dielën, se “marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara duhet të zhvillohen së bashku me marrëdhënien e Koresë së Veriut me Jugun, ndërsa do të vërehet nëse Pheniani ka synime të mjaftueshme për të zhvilluar dialog me Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësi i zyrës presidenciale të Koresë së Jugut, Kim Eui-kyeom. Vërejtja i atribuohet gjeneralit Kim Yong Chol, kreut të inteligjencës kombëtare të Koresë së Veriut.

Kim ishte në të njëjtën seksion të mysafirëve të posaçëm për ceremoninë e mbylljes së lojërave olimpike së bashku me delegacionin qeveritar të Shteteve të Bashkuara, i cili përfshinte komandantin e forcave amerikane dhe Kombeve të Bashkuara në gadishullin korean, gjeneralin e ushtrisë amerikane Vincent Brooks. “Nuk kishte ndërveprim me delegacionin e Koresë së Veriut. Pjesëmarrja e delegacionit presidencial të Shteteve të Bashkuara në ceremonitë e mbylljes ishte kulmi i një udhëtimi të suksesshëm ku fituam Lojërat Olimpike, atletët e SHBA dhe aleancën tonë të fortë me Korenë e Jugut”, tha një zyrtar i lartë të administratës amerikane. Është e paqartë nëse deklaratat e së dielës nga zyrtarët amerikanë dhe të Koresë së Veriut do të çojnë në ndonjë përparim mes dy vendeve, të cilat nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

Exit mobile version