Kryetari i PD, Basha, i cili rrugës për në kthim nga vizita në Gjermani ka reaguar menjëherë pas zbardhjes së përgjimeve të organizatës kriminale të Avdylajve me Ramën dhe njerëzit e tij. “Sot më shumë se kurrë, vendi ka nevojë për zgjidhje politike, e cila kalon përmes largimit të kryeministrit ilegjitim Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore, që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme”, thotë Basha përmes një reagimi në facebook.
Reagimi i plotë i Bashës
Përgjimet e publikuara nga gazeta prestigjioze BILD kanë tronditur sot shumë shqiptarë dhe shumë miq të huaj, të cilët kanë hequr çdo dyshim se për të mbajtur pushtetin e kalbëzuar nga korrupsioni, Edi Rama ka bërë pakt me krimin, ka blerë vota nëpërmjet bandave dhe trafikantëve ndërkombëtarë të drogës.
6 përgjimet e publikuara nga media gjermane si pjesë e dosjes 339/1 janë radiografia e pushtetit mafioz dhe ilegjitim të Edi Ramës.
Bisedat tregojnë fuqinë e krimit të organizuar:
• Për të ndikuar në emërimin e deputetëve dhe të kryebashkiakëve të PS.
• Për të blerë votat për llogari të Edi Ramës sipas objektivit të caktuar prej tij.
• Për të urdhëruar administratën publike të identifikojë kundërshtarët politikë të Edi Ramës, që t’i kërëcënojë për votën e tyre.
• Për të marrë favore shtetërore në kundërshtim me ligjin.
• Për t’u informuar për axhendën politike brenda dhe jashtë vendit të kryeministrit.
Përgjimet që mbahen peng nga prokuroria e kontrolluar prej Edi Ramës, janë konfirmim i pakundërshtueshëm se:
• Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e vitit 2017 është produkt i krimit të organizuar.
• Qeveria e Edi Ramës është ilegjitime.
• Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.
Përgjimet e publikuara nga BILD janë tregues i historisë politike të Edi Ramës: ai ka ardhur në pushtet nga krimi dhe e mban pushtetin me krimin e për krimin.
Sot më shumë se kurrë, vendi ka nevojë për zgjidhje politike, e cila kalon përmes largimit të kryeministrit ilegjitim Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore, që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.