Reagimi i PD-së/ Orjola Pampuri: Projekt-buxheti i vitit 2024 nuk sjell asnjë të re për familjet shqiptare

Partia Demokratike refuzon të bëhet pjesë e shfaqjeve të shëmtuara në ambientet e kryesisë së Kuvendit.

Ajo ka zgjedhur të vijojë të flasë për hallet e njerëzve dhe ka marrë në analizë projekt-buxhetin e qeverisë për vitin 2024.

Në një prononcim për mediat, nënkryetarja e PD-së, Orjola Pampuri, shprehet se buxheti i qeverisë s’parashikon asgjë për familjen shqiptare, por plot 14.2 miliardë lekë do t’i kushtojnë xhepave të shqiptarëve kontratat koncensionare, të cilat për këtë vit do jenë 1.2 miliardë lëke më të shtrenjta se një vit më parë.

Më tej deputetja demokrate thotë se s’do ketë asnjë rritje për pensionet në buxhetin e ri, ndërsa më shumë se 1.75 miliardë lekë ose 16.5 milion euro për vitin e ardhshëm do të shkojnë vetëm për koncesionin e sterilizimit.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE,  NËNKRYETARJA E PD, ORJOLA PAMPURI:
 

Qeveria në projeksionin e saj, për vitin e ardhshëm pretendon një rritje ekonomike imagjinare, mes të ardhurave dhe shpenzimeve të cilat nuk janë në funksion të mirëqënies dhe zhvillimit të vendit.

Buxheti i ri nuk parashikon një rritje reale për pensionistët dhe në vend të kësaj qeveria vetëm do t’i indeksojë ato.

Kjo rritje në buxhet do të jetë prej 2 mijë lekë të vjetra, në muaj për pensionistët, ose pak më pak se një gjysëm buke më shumë në ditë.

Po ashtu për pagesat e ndihmës ekonomike, aftësisë së kufizuar, pensionet e vecanta të punës, thuajse nuk refloktojnë rritje por dhe kompensimi financiar do të jetë nën vetë normën e inflacionit.

Nga ana tjetër Qeveria nuk ngurron të rrisë shpenzimet për kontratat koncesionare dhe PPP-të, të cilat për vitin e ardhshëm do të njohin sërisht rritje.

Për 11 kontratat, për të cilat KLSH dhe Prokuroria kanë provuar se janë dhënë në shkelje me procedurat dhe ligjet e këtij vendi, ku për atë të sterilizimit ka nisur hetimi nga SPAK, qeveria nuk e ngurron mbështetjen e hapur ndaj tyre.

Plot 14.2 miliardë lekë ose 135 milion euro do ti kushtojnë xhepave të shqiptarëve këto kontrata, të cilat për këtë vit janë 1.2 miliardë lëke ose 11 milion euro më të shtrenjta se një vit më parë.

Më shumë se 1.75 miliardë lekë ose 16.5 milion euro për vitin e ardhshëm do të shkojnë për sterilizimin.

E disa dhjetra million euro të tjera për kontratat koncesionare të Shëndetësisë, të cilat sëbashku përbëjnë pjesën më të konsiderueshme të këtyre shpenzimeve.

Exit mobile version