Ish-deputeti i LSI Petrit Vasili përmes një deklarate për mediat tha se përgjimet tregojnë se shteti është kapur nga kriminelët.
Vasili thekson se pas skandalit të përgjimeve, qeveria duhet të ikë për 24 orë, pasi shqiptarët nuk mund të pranojnë të qeverisen nga kriminelë.
“Shqiptarët panë sot sesi kriminelët telekomandojnë pushtetin, sesi kriminelët imponojnë pushtetin, sesi kriminelët komandojnë kryeministrin, kryetarët e bashkive, drejtorët e gjithë të tjerët. Shqiptarët e panë sot qartë se ata që nuk votojnë Rilindjen e Edi Ramës ngelen pa punë. Shqiptarët panë sesi rilindasit qeverisin me kriminelët e puthen e përqafohen me njëri-tjetrin.
Shqiptarët e panë se kemi një shtet që ka vdekur . Kryeministri dhe as ministrat e tyre nuk mund të qëndrojnë dot as 24 orë në zyra. Qëndrimi i mëtejshëm është puç shtetëror në mënyrën më të paligjshme të mundshme. Në rast se këta nuk largohen nga zyrat e tyre, populli shqiptar nuk mundet dhe nuk do të pranojë kurrë të qeveriset nga kriminelët. Koha e kriminelëve në pushtet ka mbaruar.
Betejën e fitoi e vërteta, populli shqiptar. Sot shqiptarët panë një të vërtetë, që duhet të buçasë, sesi është shembur përdhe institucioni i votës së lirë. Ky kryeministër dhe ministrat e tij duhet të braktisin zyrat, pasi ora e hakmarrjes popullore ka ardhur”, tha Vasili.