Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se aksioni i Kongresit amerikan i shton tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës dhe vlerësoi se kjo është “për pikëllim”. Ai ka paralajmëruar masa përkatëse kundër Shteteve të Bashkuara.
“Sa i përket asaj se çfarë përgjigjesh do të ketë nga ne, kjo do të varet nga versioni përfundimtar i legjislacionit”, tha mbrëmë Vladimir Putin, gjatë vizitës në Finlandë.
Më tutje, ai u tha gazetarëve se “është e pamundshme që pafundësisht të tolerohen këto vrazhdësi ndaj vendit tonë”, dhe ka shtuar se, “kjo i kalon të gjithë kufijtë e arsyeshëm” dhe sanksionet “ato janë absolutisht joligjore nga pikëvështrimi i së drejtës ndërkombëtare”.
Zoti Putin theksoi se “është për keqardhje të madhe që raportet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po sakrifikohen për zgjidhjen e çështjeve të brendshme politike në SHBA”. Por, anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara thanë se legjislacioni është i domosdoshëm në dritën e dëshmisë për përzierjen ruse.
Në këtë aspekt është shprehur edhe republikani, John McCain, kryesues i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit amerikan. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të dërgojnë mesazh të fuqishëm te Vladimir Putini dhe te secili agresor tjetër, se ne nuk do të tolerojmë sulme kundër demokracisë tonë”, tha John McCain.
Liderët e Partisë Republikane kanë kërkuar që Presidenti Trump ta nënshkruajë legjislacionin.“Nuk mund të imagjinoj se dikush seriozisht mund të mendojë për dhënie të vetos ndaj këtij legjislacioni”, tha kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit, Bob Corker.