Përplasje mes qeverisë dhe LSI-së për gjobën 44 milionë euro që do të paguajnë shqiptarët pasi një kompani greke që punonte për autostradën Tiranë-Elbasan fitoi gjyqin ndaj vendit tonë.
Kujtojmë se Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit (ICC) i dha të drejtë kompanisë greke, “Aktor”, për punimet shtesë në autostradën Tiranë-Elbasan, duke gjobitur me 44 dollarë euro Shqipërinë.
Akuzat për abuzim nga opozita kanë rënë për ditë me radhë mbi qeverinë, e cila sipas opozitës, me veprimtarinë e saj klienteliste dëmton shqiptarët.
Sot, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka reaguar përmes një deklarate për të sqaruar pse kompania greke e hodhi në gjyq shtetin shqiptar për autostradën Tiranë-Elbasan.
Sipas saj, shkeljet që kanë shqetësuar edhe kompaninë greke kanë ndodhur në kohën kur kjo ministri drejtohej nga LSI. Balluku thotë se me të srdhur në pushtet qeveria Rama vuri pas hekurave përgjegjësit pranë ARRSH-së për shpërdorimin.
“Po shtjellojmë historikun kokëfortë të kësaj kontrate, që duhet të futet në histori si një rast për studim, se si nuk duhen bërë kontratat”,- u shpreh Balluku.
” Abuzimet me kontratat e rrugës Tiranë – Elbasan, u bënë të njohura për publikun në fillim të vitit 2018, kur pas denoncimit të kryer nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, organet e drejtësisë arrestuan tre zyrtare të lartë të MIE dhe ARRSH, të emëruar në këto pozicione nga LSI. Zbardhja e kësaj çështjeje nisi në muajin shtator 2017, pas ndryshimit të drejtimit politik të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe kontrolleve dhe auditeve të kryera për procedurat e realizuara.
Vendimi i fundit i arbitrazhit vërteton dhe njëherë se ndryshimet e njëpasnjëshme në këtë projekt, sipas oreksit të ministrave dhe drejtorëve që ndërroheshin dhe i përkisnin LSI, të ndjekur penalisht për shkeljet e kryera, do pasoheshin me faturë financiare për shqiptarët.
Çështja e arbitrazhit në fjalë bazohet në:
1. Kontratën për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan, Segmenti nr. 1, deri në hyrjen e tunelit, km 13, të nënshkruar në 12 Shkurt 2012;
2. Kontratën për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan, Segmenti nr. 3, nga dalja e Tunelit, km 15.2 deri në qytetin e Elbasanit, km 27, të nënshkruar me datë 13 shkurt 2012.
Gjithë çështja bazohet në pretendime të ngritura nga Kontraktori JV Copri Aktor në 17 Maj 2015, për kosto shtesë të krijuara gjatë punimeve në Segmentin 3. Kontraktori pretendonte për dëme të shkaktuara nga ARRSH deri në atë moment.
Përsa i përket Segmentit nr. 1, pretendimet nga Kontraktori janë ngritur në 11 Dhjetor 2015, për kosto shtesë të shkaktuara gjatë punimeve në Segmentin 1. Kontraktori pretendonte për dëme të shkaktuara nga ARRSH deri në atë moment.
Të dyja këto pretendime të ngritura në vitin 2015, janë ngritur dhe administruar gjatë gjithë periudhës kur Ministria e Transportit dhe ARRSH drejtohej nga LSI.
Në mënyrë që të mundësohej zhvillimi i një gjykimi mbi këto mosmarrëveshje, ARRSH nënshkroi dy amendime kontratash në muajin Korrik 2017 me kontraktorin JV Copri Aktor, që lejonin zhvillimin e gjykimeve me anë të një Bordi të posaçëm, që u ngrit posaçërisht.
Drejtori i Njësisë së Projektit Tiranë – Elbasan (Albens Alite) dhe ARRSH (Dashamir Gjika), në atë kohë e drejtuar nga LSI, nuk ndërmorën asnjë hap për mbrojtjen e interesave të shtetit në këto dy procese dhe nuk përfshinë as Avokaturën e Shtetit, si institucioni i krijuar me ligj për mbrojtjen e interesave të shtetit.
Me ndryshimin e drejtimit politik, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në shtator dhe tetor 2017 kërkoi realizimin e auditeve financiare në ARRSH për këto problematika. Auditet e realizuara nga MIE dhe MFE, gjatë dhjetorit të vitit 2017, shpallen si jo të ligjshme dhe në tejkalim të kompetencave amendimet e kontratave të realizuara nga ARRSH. Mbi bazë të këtyre gjetjeve u bënë edhe kallëzime në prokurori për drejtuesin e Njësisë së Menaxhimit të Projektit dhe ARRSH, ku nga ana e Prokurorisë u bënë edhe arrestimet përkatëse.” – shpjegon Balluku.