Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, deklaroi sot se, Voltana Ademi ishte e ftuar për të diskutuar në lidhje me projektbuxhetin e vitit që vjen.
Manja tha se kryebashkiakja e Shkodrës ishte ftuar si kryetare e Shoqatës së Bashkive.
“I kemi bere ftese për të qenë në seancën dëgjimore edhe Shoqatës së Bashkive që e drejton kryetarja në detyre e bashkisë Shkodër Voltana Ademi. Në komunikim me Ademin, ajo ka njoftuar se për shkak të angazhimeve nuk merr pjese në komision, por ka dërguar një material me shkrim”, tha Manja.
Por kryebashkiakja e Shkodrës tha se kjo është një gënjeshtër.
“E vërteta është një dhe e vetme: Voltana Ademi nuk është ftuar në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve! Nuk ka patur asnjë komunikim, të asnjë lloji në formën e ftesës për të marrë pjesë në mbledhje as si kryetare e Bashkisë Shkodër dhe as si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Por pavarësisht se nuk ka patur asnjë ftesë për kryetaren, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka dërguar shqetësimet dhe objeksionet e saj lidhur me projektbuxhetin.
Deklaratat e z. Manja janë thjesht gënjeshtra e radhës, demagogji për të dizinformuar mediat dhe publikun. Nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën. Por personalisht nuk çuditem aspak sepse kjo mazhorancë edhe vetë Ulsiu e kanë të provuar tashmë se qëllimin e vetëm kanë gllabërimin e të gjitha pushteteve, institucioneve, duke përdorur edhe dizinformimin e publikut dhe mediava”, ka sqaruar Ademi.