Real afrohet me vendin e dytë

Real Madrid ka fituar 2-1 në “Santiago Bernabeu” dhe afrohet vetëm me një pikë larg Atletico Madrid të vendit të dytë në La Liga, kur të dyja skuadrat kanë edhe katër ndeshje për të luajtur deri në fund të kampionatit.
Gareth Bale kaloi në avantazh të besuarit e Zinedine Zidane, duke shënuar golin e tij të 15-të në këtë sezon, i 12-ti në La Liga. Në minutën e fundit të pjesës së parë, vendasit shënuan edhe golin e dytë me anë të 21-vjeçarit Borja Mayoral Moya.
Kur u mbush një orë lojë serbi Darko Brasanac ngushtoi diferencën për Leganes, por pa mundur të prishë festën e Real Madrid, gjithsesi miqtë kanë nevojë për vetëm një pikë në katër ndeshjet e fundit për të siguruar matematikisht qëndrimin në La Liga, ose mjafton që Deportivo mos fitojë nesër ndaj Barcelona.
Zidane la pushim Cristiano Ronaldo, Luca Modric dhe Marcelo, ndërsa Toni Kroos luajti vetëm 30 minuta, duke rikuperuar energjitë për ndeshjen e rëndësishme në mesjavë ndaj Bayern Munich, për gjysmëfinalen e kthimit të Champions League. Madrilenët kanë fituar 2-1 në Gjermani dhe janë favorit për të shkuar në finalen e Kievit.

Exit mobile version