Reali i Madridit është në një moment të keq, por nuk janë vetëm rezultatet e dobëta ato që shqetësojnë trajnerin Lopetegui në këtë moment, sepse problem madhor është edhe lista e dëmtimeve, që sa vjen e zgjatet.
Ashtu si sezonin e shkuar, Reali nis të “sakatohet” që në pengesta e para të sezonit. Shtatori ka qenë sërish një muaj problematik për inferimerinë e Los Blancos dhe tetori ka nisur njësoj, duke qenë që në listën e mungesave është shtuar edhe Carvajal.
Me anësorin, shkon në 5 numri i lojtarëve të dëmtuar në muajin e fundit, shumë prej tyre të dëmtuar që në fillim të kalendarit të ngjeshur, duke bërë që Lopetegui të ketë shumë pak alternativa për rotacion.
Isco, Marcelo, Bale, Odriozola dhe për të dytën herë Carvajal, janë dëmtuar që në javët e para të sezonit të ri, duke munguar pikërisht në një situatë delikate, ku Reali ka pasur rënie të theksuar loje e rezultatesh.
Edhe sezonin e shkuar ishte histori e njëjtë, sepse Zidane u përball me një seri të gjatë dëmtimesh që në fillim të sezonit, aq sa situata ishte më e rëndë se tani, sepse mes shtatorit e tetorit të vjetshëm u dëmtuan Bale, Benzema, Carvajal, Marcelo, Vallejo, Theo, Kroos e Kovacic, me disa prej tyre që munguan për shumë javë.
Tashmë Lopetegui duhet të bëjë kujdes dhe jo rastësisht nuk e mori fare me vete në Moskë Sergio Ramos, duke mos rrezikuar, ndërkohë që edhe Gareth Bale duhet ruajtur sa më shumë, sepse ka një histori plot dëmtime në Madrid.