Alarm në mbrojtjen e Realit të Madridit. Ditë të vështira për klubin “Los Blancos” dhe trajnerin e tyre Zinedine Zidane, i cili do t’i duhet të vazhdojë garën në kampionat dhe Champions League, pa dy nga mbrojtësit më kryesorë, siç janë Raphael Varane dhe Pepe. Ky i fundit në derbin me Atleticon e Madridit, u detyrua të largohej nga fusha e blertë për shkak të një dëmtimi në brinjë, nga ana tjetër koha e rikuperit për francezin Varane do të paktën një muaj. Të vetmet alternativa që i kanë mbetur teknikut të Realit përgjatë këtij muaji, është dyshja Sergio Ramos dhe Nacho. Kalendari i ngjeshur dhe takime vendimtare, në arritjen e objektivave sezonal që ka klubi merengues.
Ndalesa e parë është ajo e Champions League me Bayernin e Mynihut, më pas transferta me Sporting Gijon, për të vazhduar me takimin e kthimit me bavarezët. 23 prilli është dita “El Classico” Real Madrid-Barcelona, që me gjasa do të përcaktojë dhe fituesin e titullit kampion në La Liga, trofe që Los Blancos nuk e fiton që prej sezonit 2011-2012. Prilli do të mbyllet me transfertën e Dep. La Coruna dhe në “Santiago Bernabeu” sfida kundër Valencia-s. Me vetëm dy qendër mbrojtësa në dispozicion, situata për Zidane nuk duket dhe aq komode.
Skuadra e Real Madridit dje ka zhvilluar stërvitjen e radhës, para ndeshjes ndaj Bayern Munichut në kuadër të çerekfinales së Ligës së Kampionëve. Pepe dhe Raphael Varane nuk ishin mungesat e vetme, pasi për shkak të lodhjes ka munguar edhe Dani Carvajal. Ende nuk dihet nëse mbrojtësi spanjoll do të jetë gati për të mërkurën.
Sergio Ramos, është vetëm një karton larg suspendimit në Ligën e Kampionëve, çka do të thotë se nëse ndëshkohet në “Alianz Arena” ndaj Byaern Munich, ai nuk luan në sfidën e kthimit në “Santiago Bernabeu”. Me këtë rast, Real Madridi do të mbeste vetëm me një qendërmbrojtës klasik, Nachon, lojtar që nuk është titullar, madje është zëvendësues i zëvendësuesve, asnjëherë nuk luan para Pepe, Varane e Ramos.
E njëjta situatë qëndron në Ligë. Nëse Nacho ndëshkohet me të verdhë ndaj Gijonit, ai humb sfidën e “El Clasicos” dhe Reali do të shkonte në ndeshjen ndaj Barcelonës me Ramosin si qendërmbrojtësin e vetëm klasik, kjo do të thotë se dy lojtarët duhet të kenë shumë kujdes, pasi mund ta fusin në telashe Zidanen.
Megjithatë, Zidane ka edhe planin B, ai është Casemiro, i cili njihet si një lojtar i fuqishëm. Braziliani duket të jetë “joker” për trajnerin francez. Ai këtë edicion ka luajtur një ndeshje si qendërmbrojtës dhe në rastin më të keq, Zidane mund të tentojë ta luajë me të sërish në atë pozitë, duke i lënë kështu vend në mesfushë Iscos, Kovaçiçit apo James Rodriguezit. Mbetet të shihet se si do të veprojnë dy mbrojtësit, që nga tani duhet të jenë maksimalisht të kujdesshëm, pasi Pepe e Varane nuk do të jenë të gatshëm për një kohë dhe sezoni po shkon drejt fundit.