Real Madrid dhe Monaco kanë nisur bisedimet për transferimin e sulmuesit Kylian Mbappe. Portali i njohur anglez, “Goal.com” njofton se drejtuesit e Real Madridit dhe Monacos kanë nisur bisedimet për transferimin e Kylian Mbappe. Trajneri i Realit, Zinedine Zidane është fans i madh i Mbappe-së dhe beson se do të përshtatej shumë mirë në sulm me Ronaldon, Benzema, Bale dhe Iscon.
Reali për shërbimet e tij mund të ofrojë deri në 135 milionë euro, duke e bërë kështu futbollistin më të shtrenjtë në histori të futbollit. Reali nuk pritet të ketë probleme të paguajë këtë shifër, pasi pritet të përfitojë 160 milionë euro nga shitja e Alvaro Moratës në Manchester United dhe James Rodriguezit në Chelsea. Për Mbappe po interesohen edhe dy skuadra të tjera të mëdha Arsenal dhe PSG.
Ndërkohë, Hugo Almeida, ish-ylli i Portugalisë, mendon se Cristiano Ronaldo do ta fitojë Topin e Artë. Topi i Artë edhe kësaj radhe do të përfundojë në duart e yllit të Real Madridit, Cristiano Ronaldos. Kështu mendon ish-ylli i Portugalisë, Hugo Almeida. “Natyrisht që ai do të fitojë Topin e Artë. Ai fitoi La Ligën dhe Ligën e Kampionëve çfarë po dëshironi më shumë”, ka deklaruar sulmuesi i AEK Athinës për “Omnisport”.
“Në fazat finale të Ligës së Kampionëve, ai shënoi 10 gola kundër skuadrave më të mëdha – Juventus, Atletico Madrid dhe Bayern Munich. Nuk ka dyshim se ai do të fitojë Topin e Artë”, ka theksuar ai.