Real Madridi nis sulmin për Salah!

Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, po lëviz për të marrë “yllin” e Liverpool, Mohamed Salah, sipas asaj që bën të ditur shtypi spanjoll. Salah ka shkëlqyer gjatë gjashtë muajve në “Anfield Road”, duke e dyfishuar çmimin e tij, që ishte 50 milionë euro. Me 18 gola dhe 4 asiste në 22 ndeshje zyrtare, egjiptiani ka qenë zbulimi i sezonit në Premier League. 25-vjeçari ka shënuar më shumë se Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema, të dy së bashku.
Sipas gazetës “Don Balon”, Perez dëshiron t’i jap një sulmues tjetër trajnerit Zinedine Zidane dhe në vend të tij do të sakrifikojë Lucas Vazquez. Pikërisht, Vazquez i është ofruar Liverpool për t’u ulur disi çmimin e Salah, që ka shkuar deri në 100 milionë euro. Vazquez, 26 vjeç, ka luajtur 13 ndeshje në La Liga, ku në 8 prej tyre e ka nisur nga stoli. Ai ka një kontratë me Real deri në vitin 2021, por do ta priste me kënaqësi kalimin nën urdhërat e Klopp. Kështu, pas Barcelonës që nuk ka hequr dorë nga Coutinho, Salah është “ylli” i radhës në Liverpool, që mund të transferohet në La Liga.
Të hënën, Salah u shpall futbollisti më i mirë afrikan i sezonit nga “BBC”. Kalimi i tij te Real Madrid është përmendur kohë më parë edhe nga trajneri i kombëtares së Egjiptit, Hector Cuper, i cili në një deklaratë për “ON Sport TV” tha: “Personalisht e di nga burime shumë të sigurta se Real Madrid është i interesuar për Salah, por vetëm kaq mund të them. Ai është një futbollist i shkëlqyer. Nuk dua të nxitohem, por e ardhmja e tij nuk do të jetë te Liverpool. Sipas këndvështrimit tim, Salah do të shkojë te një skuadër më e madhe”.

Exit mobile version