Reali është makineri

Që nga koha kur drejtimin e skuadrës së Realit e ka marrë Zinedin Zidan, ekipi “galaktik” ka filluar të dominojë kundërshtarët në aspektin fizik. Diçka e tillë nuk ndodhi të martën, sepse Siti arriti të vraponte më shumë se Reali. Pavarësisht këtij fakti, “qytetarët” nuk arritën për asnjë moment të tregonin këtë dominim fizik, sepse në pamje të parë ishte Reali që kishte gjithmonë topin dhe rastet më të rrezikshme për të shënuar.
Tetë prej lojtarëve të Realit të Madridit vrapuan më shumë se 10 kilometra, duke garantuar grintë, muskuj dhe lojë të fortë fizike. Vetëm 2 (portieri nuk llogaritet) prej tyre nuk arritën të kalonin këtë shifër. Marselo u ndal në 9.6 kilometra dhe Benzema, i cili u largua nga fusha e lojës për shkak të dëmtimit. Lukas Vaskez ishte ai që nuk u ndal kurrë dhe arriti të përshkonte 13.323 metra, dy kilometra më shumë se De Bryjne, i cili vrapoi më shumë në radhët e Mançester Sitit. Në total, anglezët vrapuan 113.177 kilometra, ndërsa Reali 112.691. Pavarësisht këtij dominimi të lehtë fizik, skuadra e Pelegrinit nuk krijoi raste për të shënuar dhe kjo shpjegohet me skemën dhe taktikat e përdorura nga dy trajnerët.
Siti ishte i shthurur dhe nuk arriti asnjëherë të vendosej ashtu siç duhej taktikisht, duke u thyer në mesfushë nga skuadra e Realit. Aguero, Navas dhe De Bryjne nuk mund të bënin asgjë, sepse asnjëri prej tyre nuk mund të thyente mbrojtjen e hekurt dhe mesfushën e blinduar të Zidanit. Reali, pavarësisht se në fillim e nisi ndeshjen me skemën 4-3-3, gjatë saj e transformoi në 4-5-1, duke u mbrojtur në mënyrë perfekte për të mos u lënë hapësirë kundërshtarëve.
Luka Modriç dhe Toni Kros janë dy lojtarët kryesorë të “bandës” së Realit, të cilët me teknikën dhe zgjuarsinë e tyre arritën të kryenin pasime të sakta. Toni Kros gaboi vetëm një nga 77 pasimet e tij në total, duke u shndërruar në një robot të vërtetë. Pas tij edhe Modriç bëri një ndeshje spektakolare dhe 87% të pasimeve të tij ishin të sakta.
“Galaktikët” luajnë shumë pak herë me topa vertikalë dhe kjo i bën një skuadër shumë të fortë për t’u thyer. Me mungesën e Ronaldos sigurisht që kishin humbur në aspektin fizik dhe teknik, por grinta e këtij ekipi vazhdon të jetë e njëjta. Me Zidanin kanë gjetur shpirtin luftarak.

Exit mobile version