Reali futet në garë

Reali i Madridit ka riaktivizuar interesimin për transferimin e Paul Pogba nga Juventusi. Pasi dështoi ta transferojë nga Valencia mesfushorin portugez, Andre Gomes, i cili në fund u bashkua me Barcelonën, Real Madridi ka riaktivizuar interesimin për transferimin e Paul Pogba-së nga Juventusi, raporton “AS”. Transferimi i reprezentuesit francez në “Santiago Bernabeu” nuk është i pamundur. Ylli i Juventusit ka bërë të qartë se dëshiron të punojë me strategun francez, Zinedine Zidane.
Kurse sipas “Daily Express”, Jose Mourinho është afër të heqë dorë nga transferimi i Pogba-së dhe kjo mund t’ia hapë dyert Realit për transferimin e lojtarit. Ai ka dy opsione nëse dështon që ta transferojë francezin. Fjala është për Nemanja Maticin (Chelsea) dhe Blaise Matuidin (Paris Saint-Germain).
Por, problemi i vetëm mund të jetë dëmshpërblimi i madh që kërkon Juventusi (120 milionë euro) dhe paga e lojtarit (13 milionë euro). Sipas “AS”, Reali nuk është i gatshëm të ofrojë më shumë se 100 milionë euro dhe një pagë prej 10 milionë euro në sezon.
Mesfushori francez, Dimitri Payet, ka gjetur kohë që të flasë edhe për bashkëkombësin e tij, Paul Pogba. Mesfushori i Juventusit është duke u kërkuar me ngulm nga Manchester Unitedi e Real Madridi, të cilët janë të gatshëm të paguajnë më shumë se 100 milionë euro për shërbimet e francezit.
I pyetur nëse Pogba vlen aq para, Payet është përgjigjur: “Nuk mund t’u them nëse Pogba vlen kaq shumë, por e gjitha çfarë di është që ai është një futbollist i jashtëzakonshëm”. “Pavarësisht klubit dhe çmimit që ai klub do ta paguajë për Pogba-në, ai do të jetë një transferim i jashtëzakonshëm për ta”, deklaroi më tej Payet. Payet nuk foli për të ardhmen, i cili është duke u kërkuar nga disa klube europiane.
Gjatë një konference për shtyp në Australi, aty ku Juventusi po zhvillon fazën përgatitore, trajneri i bardhezinjve Masimiliano Alegri i është përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me të ardhmen e Pogba. Tekniku 48-vjeçar ka deklaruar se momentalisht francezi është një lojtar i Juventusit. “Pogba është një element shumë i rëndësishëm për skuadrën. Për momentin ai është ende një futbollist i Juventusit, por në ditët në vazhdim nuk e di se ç’do të ndodhë. Gjithsesi kam besimin se ai do të vazhdojë të qëndrojë në Torino”, u shpreh Alegri.

Artikulli paraprakVietto shumë pranë firmës me Barcelonën
Artikulli tjetërRonaldo bind Perez për të mos larguar James