Reali harron të shpenzojë

E pakuptueshme ajo që po ndodh me Realin e Madridit në këtë merkato. Skuadra e Florentino Perezit ka bërë vetëm një blerje, e cila vlejti vetëm 30 milionë euro. Alvaro Morata duket se nuk mund ta shpëtojë kurrsesi merkaton që ka bërë deri tani ekipi mbretëror.
Mediat spanjolle kanë bërë një analizë të lëvizjeve të merkatos deri tani dhe Reali gjendet në vendin e 22-të. Ironia e fatit lidhet me faktin që, më shumë sesa një prej skuadrave më të forta ekonomikisht në botë, kanë shpenzuar edhe ekipe si Rubin Kazan, Njukasëll apo Bornmwth.
Deri në fund të gushtit ka edhe 1 muaj kohë për të rikuperuar dështimin e momentit, por lojtarët në qarkullim duket se ndihen shumë mirë te skuadrat e tyre dhe nuk kanë asnjë synim për të lëvizur. Vetëm ndonjë ofertë marramendëse nga Reali mund t’i transferojë ata në Madrid. U duk se Reali do të ishte ekipi më aktiv i merkatos, sepse riktheu menjëherë Alvaro Moratën, por gjithçka ka ngecur aty.
Dështimi për të nënshkruar me Pogbanë ka rikthyer kritikat e shumta dhe shigjetat ndaj presidentit Perez, i cili është kënaqur me fitoren e Ligës së Kampionëve dhe mendon se edhe ky sezon do të jetë i lehtë. Ende nuk kuptohet nëse Zidan është i lumtur me skuadrën që ka në dispozicion, apo nuk e ngre zërin në drejtim të presidentit, sepse nuk ka eksperiencën e duhur.
Juventusi është skuadra që “mbretëron” merkaton e verës deri në këto momente. Gjithçka është kuptuar për shkak të lëvizjeve të shumta, por këtë e tregojnë edhe shifrat. Bardhezinjtë kanë shpenzuar 157 milionë euro dhe blerja më e shtrenjtë e momentit është bërë pikërisht nga “Zonja e Vjetër”. Gonzalo Higuain kushtoi 90 milionë euro.
Pas Juventusit, ekipi i dytë që ka shpenzuar më shumë është Dortmundi, ndërsa surprizë është emri i Romës. Vendi i katërt dhe i pestë plotësohen nga Atletiko e Madridit dhe Mançester Junajtid. Megjithatë, merkato nuk ka përfunduar ende, ka shumë kohë për surpriza.

Artikulli paraprakVirtus “hedh sytë” nga Migjen Basha
Artikulli tjetërFutbolli po fryhet