Marcelo pranoi se Real Madridi është i trishtuar dhe ndihet i dobët pas distancimit me 16 pikë nga udhëheqësit e La Liga-s. Tashmë, Barcelona duket e arratisur nga rivalët e përjetshëm, “Los Blancos”. Kampionët në fuqi të Spanjës dhe sezoni i tyre vazhdoi keq të dielën, teksa barazuan 2-2 me Celta Vigo. Gareth Bale shënoi dy herë, për të anuluar “hapjen” e Daniel Wass dhe për t’i dhënë Real Madridit epërsinë para gjysmës së kohës. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për madrilenët, sepse Celta barazoi në minutën e 82-të me Maxi Gomez.“Ne jemi të trishtuar dhe të zhytur.
Po përpiqemi të dalim nga kjo rrëmujë dhe po punojmë për ta bërë këtë, sepse nuk na pëlqen aspak. Është e vështirë, sepse sa më shumë ndeshje barazon ose humbet, aq më shumë rritet presioni. Ne nuk mund të bëjmë asgjë tjetër. Po bëjmë atë që mundemi, përpiqemi të luajmë futboll të mirë, të shënojmë gola dhe ta qarkullojmë topin, por kjo nuk po na shpërblen”, tha Marcelo.
Real Madridi, i cili është “i pafytyrë” në katër ndeshjet e fundit të La Liga-s, janë të katërtit në klasifikimin aktual të kampionatit spanjoll, prapa Atletico Madridit dhe Valencias. “Nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të tregosh fytyrën tënde më të mirë dhe të luftosh, vazhdoi braziliani. Lufto dhe jep më të mirën, që të mund të fitosh”.
Real Madrid ka bërë një tjetër paraqitje zhgënjyese teksa ka barazuar me Celta Vigon 2-2 në shtëpinë e këtyre të fundit. Ishte një sfidë e zjarrtë sidomos në pjesën e dytë dhe kjo falë vendasve që ngulmuan të gjenin të paktën golin e barazimit dhe ia arritën qëllimit. Me këtë barazim Real tashmë është 16 pikë larg Barcelonës me një ndeshje më pak.
Ishin vendasit ata që kaluan në avantazh me një gol fantastik të Daniel Weiss, i cili ndëshkon Keylor Navas me një goditje plot ndjenjë në minutën e 33. Por vetëm tre minuta më pas erdhi kundërpërgjigjja e Real me një dopietë të shpejtë brenda dy minutave të Gareth Bale.
Sulmuesi uellsian shkëlqeu duke shënuar dy gola të mrekullueshëm që i dhanë avantazhin Los Blancos. Por pas pushimit ekipi që luante me një dëshirë të madhe ishte Celta Vigo. Lojtarët vendas luftonin për çdo top duke ia vështirësuar jetën vizitorëve që nuk janë mirë fizikisht dhe kjo u duk edhe ditën e djeshme.
Aspas humbet një mundësi të artë nga pika e bardhë e penalltisë me Keylor Navas që rregullon gabimin e bërë me penalltinë e shkaktuar. Por atë që nuk bëri Aspas e bëri Gomez me një gol të bukur nga shumë pranë portës pas një krosi nga e djathta.