3 emra për portën e Realit të Madridit. Drejtuesit e klubit merengues po kërkojnë me ngulm një portier për të blinduar portën për vitet në vazhdim dhe opsionet për momentin janë 3. Më 31 dhjetor të vitit 2015 klubi “Los Blancos” u hodh në sulm për të gjetur zëvendësuesin e Iker Casillas dhe emri i parë në listën e presidentit të Realit, Florentino Perez ishte David de Gea. Numri 1 i Los Blancos bëri gjithçka që ishte e mundur për ta transferuar spanjollin në “Bernabeu”, por bisedimet dështuan në momentin e fundit edhe për faj të Louis van Gaal që në atë periudhë ishte në stolin e Manchester United.
Sot, pas dy vitesh vëmendja është rikthyer sërish tek De Gea, por problemi qëndron se Djajtë e Kuq, nuk kanë ndërmend të heqin dorë prej tij dhe e vetmja mënyrë për t’ia arritur qëllimit është një ofertë e parezistueshme për United. 65 milionë euro është shuma që do t’i paraqitet drejtuesve të skuadrës angleze për ta lënë të lirë 26-vjeçarin. Nëse tratativa dështon sërish, klubi merenges ka në shënjestër dhe 2 alternativa të tjera. I pari është poriteri i Chelsea, Thibaut Courtois pa harruar dhe gardianin e Milanit, Gianluigi Donnarumma. Kërkesa kryesore e drejtuesve të Real Madrid është mosha e re, në mënyrë që porta të jetë e sigurt për një periudhë të gjatë, kjo është dhe arsyeja se pse gardiani aktual i Los Blancos, Keylor Navas, pavarësisht performancës së tij të mirë, mund të humbasë vendin e titullarit ose t’i japë lamtumirën kampionatit spanjoll.