Në përfundim të muajit prill, Reali i Madridit do të jetë më i qartë për shanset e tij në kampionat dhe Ligën e Kampioneve. Skuadra e Zinedin Zidanit do të luajë shtatë ndeshje në tri javë, me një mesatare prej një dueli çdo tri ditë. Një kalendar shumë i ngjeshur, i cili ka nevojë për një programim të detajuar të formës së futbollistëve, në mënyrë që ekipi të mos bëjë hapa falsë në secilin prej kompeticioneve, ku edhe synon të triumfojë.
Aktualisht merengesit kryesojnë renditjen e La Liga-s, ndërkohë që në Champions do të përballen me një nga rivalët më të vështirë të mundshëm, Bajernin e Mynihut. Sikur të mos mjaftonte fakti që do t’u duhet shumë energji prej sasisë së ndeshjeve, ajo që bie në sy është edhe forca e kundërshtarëve që do ketë përballë. Duke nisur që nga dita e shtunë, Reali do të luajë derbin e Madridit përballë Atletikos, ku një hap fals mund t’i vështirësonte ndjeshëm mundësitë për titullin.
Të mërkurën ata do të jenë në Gjermani, ku do të përballen me vendasit e Bajernit, për të luajtur tri ditë më vonë në një tjetër transfertë, kundër Gijonit në Spanjë. Ditën e martë të javës pasardhëse, pra më pak se 72 orë më vonë, në “Santiago Bernabeu” do të luajnë “aktin e dytë” kundër skuadrës së Karlo Ançelotit, Bajernit. Pasi të kenë mësuar fatin e tyre në Ligën e Kampioneve, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale apo jo, vështirë se do të kenë mjaftueshëm kohë në dispozicion për të festuar apo hidhëruar.
Të dielën e së njëjtës javë i pret një tjetër finale vendimtare, pasi luajnë ndaj rivalëve direkt për titullin kampion, Barcelona. Por, prilli nuk do mbyllet me kaq, pasi do të jenë Valencia dhe Deportivo ato që do të plotësojnë “mozaikun”. Një sfidë tejet e vështirë për trajnerin Zinedin Zidan, i cili do të ketë edhe presionin më të madh për të bërë përzgjedhjet e duhura në formacion.