Reali mbyll merkaton

Superkupën e parë të Europës në historinë e klubit, Reali i Madridit e fitoi në vitin 2002 pasi mposhti 3-1 Feynoordin në Monaco i udhëhequr nga Zinedine Zidane në fushë. 14 vjet më pas, Los Blancos me francezin në stol e fituan sërish këtë trofe që ishte i 3-ti për ta pasi këtë herë në Trondheim të Norvegjisë mposhtën 3-2 me përmbysje Sevillan e Jorge Sampaolit. Golat e dy mbrojtësve spanjollë Sergio Ramos dhe Dani Carvajal pak përpara fundit të kohës së rregullt dhe kohës shtesë i dhanë Realit një trofe që në Madrid e dëshironin me çdo kusht.
Nuk mund ta fshihte kënaqësinë në konferencën për shtyp pas suksesit 3-2 ndaj skuadrës andaluziane trajneri i Realit, Zinedine Zidane. “Ne jemi të gjithë të gëzuar për fitimin e këtij trofeu. Mendoj se ishte një finale e bukur sepse të dyja ekipet e kërkuan me ngulm fitoren. Sevilla bëri një lojë të mirë dhe na vendosi në vështirësi. Nuk mund të them që ne e merituam trofeun pasi Sevilla do ta kishte merituar nëse do ta fitonte, por e rëndësishme është që ia dolëm”, u shpreh Zidane.
Nga Superkupa e Europës te merkato. Zidane konfirmoi edhe një herë tjetër faktin se Reali i Madridit ka një skuadër të kompletuar dhe ai nuk ka nevojë për përforcime të tjera. “Unë kam në dispozicion shumë lojtarë. Është e kotë të afrojmë në skuadër lojtarë të tjerë. Sot kishim 5 mungesa dhe prapë kishim shumë alternativa në stol. Mendoj se kam një grup të kompeltuar në çdo aspekt. Kemi në skuadër lojtarë me përvojë, por edhe të rinj premtues, kjo është ajo që unë dua dhe nuk mund t’u kërkoj drejtuesve asgjë tjetër”, tha ai.
Në “Lerkendal Stadion” të Trondheim në Norvegji, Zidane e niste me 11-sh surprizë, titullarë Kovaçiç dhe Asensio, asnjë nga treshja BBC në fushë me Modriç, Benzema dhe James në stol, në krahun tjetër Sampaoli hidhte që nga minuta e parë tre blerjet e reja Franko Vazquez, Kiyotake dhe Luciano Vietto. Ishte në fakt ndeshja e të rinjve, pasi pas një fillimi më të mirë të Realit ishte Marco Asensio ai që kaloi në avantazh Los Blancos në minutën e 21 me një gol impresionues. Gol prej një bomberi të madh për 20-vjeçarin që tundi rrjetën me një të majtë nga jashtë zone, duke mposhtur Sergio Ricon. Madrilenët në avantazh, por gjithsesi Sevilla gjeti barazimin para mbylljes së pjesës së parë, në një gol ku sërish protagonistë ishin të rinjtë, blerjet e reja të kësaj vere, kontroll perfekt i topit nga Luciano Vietto me Franko Vazquez që pothuajse ia rrëmbeu nga këmbët duke shënuar me të majtën e tij fluturimthi për të barazuar shifrat në 1-1.
Në pjesën e dytë Zinedine Zidane futi në lojë lojtarë si Benzema e Luka Modriç, por u ndëshkua nga ai që më pak e priste. Gabim i pafalshëm i Sergio Ramos që ngriti takat në zonë ndaj Viettos që ishte duke e kaluar dhe për arbitrin nuk kishte dyshime, penallti e pastër. Nga distanca e 11 metrave Konoplyanka la në tokë Kiko Casillan për golin e 2-1, me Sevillan që ia doli të menaxhonte avantazhin deri në minutën e 90, por jo deri në vërshëllimën e fundit, pasi në minutën e tretë të shtesës Sergio Ramos edhe një herë, ashtu si në finalen e Championsit të 2014 ktheu nga rruga trofeun duke barazuar me golin e 2-2 me një goditje me kokë, ekzaktësisht si ndaj Atleticos dy vjet më parë, deja vu e frikshme. Në shtesë Ramos shënoi edhe një tjetër gol, por arbitri e anuloi atëherë kur mbrojtësi i Realit po festonte dhe pas një lumi rastesh për madrilenët Reali gjeti golin e fitores përfundimtare në minutën e 120 me Dani Karvajal që depërtoi në zonë për të shënuar me një goditje të bukur golin e 3-2 që vendosi ndeshjen, duke i dhënë trofeun e parë sezonal Realit të Madridit.

Exit mobile version